E Diel, 1 Nëntor 2026

Secili duhet të gjejë vendin e tij

Para disa ditësh botova një shkrim në një gazetë të përditshme dhe prisja reflektimin e zotit Bakalli, të cilit i drejtohej. Sipas etikës gazetareske këtë reagim e prisja po në këtë gazetë. Por, për çudi, të nesërmen lexova përgjigjen në një gazetë tjetër që e quan veten të pavarur. Kjo është një e drejtë e tij. Por m’u duk se përgjigja nuk ishte e saktë. Në të autori shkruante për gjëra që unë as që i kisha menduar dhe jo më t’i shkruaja. Kështu që shkrova një shkrim të dytë dhe ia dërgova gazetës ku kishte botuar ai shkrimin e tij, me të drejtën time të replikës, pasi në të përmendej edhe emri im. Prita disa ditë, por nuk pashë botimin e saj. U interesova në telefon dhe një gazetare, që për fat nuk i di as emrin, m’u përgjigj se do ta bisedonte me kryeredaktorin dhe do të më kthente përgjigje me e-mail,  por përgjigja nuk erdhi. Të nesërmen telefonova përsëri. Një gazetare tjetër më dha të njejtën përgjigje dhe përsëri asgjë. Megjithatë mendoj se është në moralin e një gazete  të jetë korrekte ose jo. Sot ka shumë organe shtypi ku kushdo mund të shprehë lirisht mendimet e tij. Një gjë të tillë po bëj edhe unë.

Tani më lejoni t’i drejtohem  zotit Bakalli. Në shkrimin tim të mëparshëm, unë nuk shoh asnjë rresht ku të jetë përmendur Partia Demokratike dhe lideri i saj. Ndaj nuk e kuptoj përse në përgjigjen tuaj e hidhni dhe e përdridhni fjalën në një temë që mua as më kishte shkuar ndër mend. Në rast se ju e keni nga mllefi që keni për këtë parti apo udhëheqësin e saj, kjo është puna juaj, por mua nuk keni pse të më paraqisni si një mbrojtës të zjarrtë të saj. Në rast se doni të bëni një analizë të asaj partie, në lidhje me të përndjekurit politikë, atëhere bëjeni. Rrugët sot janë të hapura, por mua nuk keni pse të më fusni në vallen tuaj.

Meqenëse e hapët këtë temë, atëhere më lejoni edhe mua të shpreh mendimin tim. Jam anëtar i Partisë Demokratike qysh nga 15 janari 1991. Qëndrimin tim e kam paraqitur herë pas here, qoftë nëpër seksionet shkencore të organizuara nga shoqata, apo nëpër faqet e shtypit të shkruar. Lexoni shkrime të mijat apo të tjera të botuara në organe të ndryshme dhe do të formoni një ide të saktë të karakterit dhe idealeve të mia. Ato që shkruaj janë bindjet e mia. Jam bërë anëtar i kësaj partie, jo se në krye të saj ishte Sali Berisha, por sepse konstatovA se programi i saj përputhej me bindjet e mia. Por ju siç duket jeni ende i lidhur pas figurës së njëshit, dhe nuk shkëputeni dot. 

Qëllimi i shkrimit tim ishte t’u bëja thirrje të shkëputeshit nga një parti fantazmë që, veç kryesisë së saj, nuk ka anëtarë të tjerë. Bile edhe në krye është një kaRrierist që, deri më sot, ka ndërruar katër apo pesë parti. Në rast se u shkëputët nga Partia Demokratike, përse nuk e gjetët veten në ndonjë prej partive tradicionale të djathta, në ato parti për të cilat sakrifikoi edhe babai juaj i nderuar? Megjithatë është e drejta juaj të zgjidhni dhe ndoshta edhe unë po kërkoj pak si tepër. Por nuk më vjen mirë që një person që pranon nga një parti postin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, papritmas, brenda tre vitesh, kthehet dhe deklaron se gjoja u largoka pasi kjo parti qenka me përbërje komuniste. Dua t’ju pyes, i nderuar zotni: Kur u bë komuniste kjo parti, tani që u larguat ju, apo ishte e tillë? Në rast se pranoni të dytën do t’ju thoja: Po ju si pranuat të bëheni deputet i një partie të tillë? Ndërsa po të zgjidhnit të parën do të më vinte çudi se si një parti mund të ndryshojë linjën e vet brenda një periudhe kaq të shkurtër. Nuk e di, por ndoshta këtu keni parasysh eksperiencën e Kryetarit të partisë tuaj të sapoformuar.

Kam edhe diçka tjetër për të shtuar. Në shkrimin tuaj thoni: “Dihet se ne shqiptarët, për shkak të mungesës së një shteti shqiptar të lirë e të pavarur, nuk patëm asnjëherë një traditë demokratike të institucionalizuar. Më 1991 “demokraci” ishte fjalë e çuditshme, e pakuptushme, por gjithsesi një fjalë magjike që zgjonte shpresë”.

Jo mor i dashur zotni. Fjala demokraci nuk ishte një fjalë e çuditshme, as e paktueshme. Ajo ishte simboli i luftës tonë. Për atë fjalë luftuam dhe u sakrifikuam. Në krye të kësaj lufte ishte i ndjari yt atë dhe shokët e tij Ahmet Bushati, Thabit Rusi, Matish Çefa, Ferit Myftia, Ndoc Ljarja,  Tonin Prosi nga Shkodra jote, Tanush Frashëri, Viliam Hysenbegasi, Ylber Starova nga Korça, Ilia Tereska nga Berati, Gjon Deda nga Mirdita, Burim Kokoshi, Klito Lamaj, Alajdin Alemi, Lavdosh Beqo, Besnik Kripa, Myrteza Baboçi, Jorgo Besho, shkruesi i këtyre rradhëve  nga Vlora dhe plot të tjerë të rinj, që fjalën demokraci e njihnin qysh në moshë fare të re, pasi e kishin mësuar nga prindërit e tyre dhe që ju a transmetuan më vonë edhe fëmijve. Ju premtoj se këto do të jenë fjalët e fundit që po shkruaj për juve. E lë në ndërgjegjen tuaj të vendosni. Sidoqoftë rezultatet do t’i merrni pas zgjedhjeve të qershorit. Atëhere, po të dëshironi, mund të bisedojmë përsëri. Por besoj se do të jetë shumë vonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›