E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedra e thyer e një strukture sigurie që s’bind

Ne e dimë që ndërkombëtarët na duan të mirën, por kjo dashuri nganjëherë bëhet mbytëse, pra do kufi. Sidomos kur kufiri nuk është te thana, por tek SHISH. Nga agjenci të ndryshme lajmesh u bombarduam dje me informacionin se ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror po shqetësokan ndërkombëtarët. Nuk e dimë sa seriozisht e kanë me këto deklarata për shtyp. Por me zellin për t’i paraprirë një rreziku të mundshëm, delegatë të kancelarive të huaja sikur e prekën pak sedrën e shqiptarëve për një shërbim informativ kombëtar, sipas udhëzimeve të NATO-s. Me sa dimë nuk ka asnjë udhëzim të NATO-s për të konformizuar dhe kufizuar çdo qeveri evropiane, për të bërë reformimin e shërbimeve sekrete. Madje as në komunizëm nuk është “lejuar” që jugosllavët, rusët a kinezët të ndalonin ngritjen dhe reformimin e një shërbimi sekret të një vendi satelit. është çështje krenarie, edhe pse ai mund t’i ngjajë sigurimit shqiptar apo KGB-së. Ndoshta ambasadorët që na duan të mirën kanë anashkaluar principin që e shtyn një reformë të tillë: pra forcimi i institucioneve të mësipërme që vetiu shoqëron forcimin rendit e sigurisë në vend. Mirëpo mos-besimi i tepruar i ndërkombëtarëve për të gjykuar gjithçka si “kërcënim”, i lë shkas interpretimit të thyerjes së sovranitetit të një vendi. Duke gjykuar se politika shqiptare është akoma “infantile” dhe bën me qëllim gabime, jemi në kundërthënie të shërbimit diplomatik. Nuk është dëgjuar kurrë - në kontinent apo rajon - që të marrim kritika “ndërkombëtare” edhe për reforma të shërbimeve informative. është sikur ambasadori shqiptar në Itali, Spanjë, Francë, të gjykojë reformën e mundshme të SISDE, CNI apo DGS. Nuk do të donte ta bënte kurrë, nuk e bën kurrë. Për të dhënë një shembull paradoksal, meqë jemi në temë, është sikur ambasadori ynë në Spanjë të gjykonte dekrete të Zapateros për Centro Nacional de Inteligencia, ose ambasadori ynë në Francë të thoshte në shtyp se francezët duhet të kenë kujdes “për reformën e DGS”, shërbimit informativ francez, pasi edhe Franca ka po aq sa ka Shqipëria, të drejta në NATO. Franca u anëtarësua në NATO në 2009. Mirëpo nuk u tha asnjë fjalë nga ambasadorët e huaj të akredituar në Francë kur presidenti Sarkozi me një dekret blitz bëri ri-modifikimin e “reinsegnement” informativ francez, duke vënë njerëz që i cilëson si pika kyce të sistemit sekret kombëtar. Nuk u gjykuan me asnjë fjalë drejtuesit Bernard Bajolet, Erard Corbin de Mangoux, apo Bernard Squarcini që arrestoi terroristin famëkeq Yvan Colonna. Kjo për të dhënë një shembull të sovranitetit që kanë vendet evropiane, ku delegatët e huaj as nuk “guxojnë” të interferojnë në ri-asemblimin e detyrave të një shërbimi informativ kombëtar. E gjithë problematika merr një kuptim krejt teorik, kur kuptojmë se “komentet” janë shpikur nga mediat opozitare, të cilat shfaqen dukshëm të interesuara për ruajtjen e “status-quo”-së në disa sektorë të caktuar, njëri nga të cilët, është padyshim edhe ai i shërbimeve sekrete dhe i sigurisë kombëtare. Ndërkaq lidhur me projektligjin për shërbimin informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Gjithsesi kjo duhet bërë në parlament, jo me kasandra kiametesh nëpër zyra ambasadash. Shqetësimet e diplomatëve lidhen me faktin se Shërbimi Informativ Shtetëror rrezikon me këto ndryshime profesionalizmin dhe rënien në varësi politike. Mirëpo që diplomatët të merreshin edhe me rënien e profesionalizmit të shërbimeve sekrete shqiptare paraqitet si kulmi i një ëndrre dimri. Objekt i punës së agjencive të ndryshme mbetet sigurimi i sovranitetit kombëtar, nga elementë të jashtëm dhe të brendshëm. Ngase është krijuar një shërbim informativ që ka si qëllim - në të gjithë botën - të mbledhë informacion për njohje, merret me mend se nuk ka rëndësi tema e zbulim-kundërzbulimit, parandalimi i krimit të organizuar e kontrabandës, pastrimi i parave apo korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publik. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›