E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdini merr në dorë të ardhmen e Elbasanit

Elbasan - Kryebashkiaku Qazim Sejdini merr në dorë të ardhmen e skuadrës së Elbasanit pas arrestimit të presidentit, Arben Laze. Sejdini vizitoi dje ekipin para se ai të fillonte stërvitjen për takimin me Besën e Kavajës. Kreu i bashkisë së Elbasanit deklaroi se lojtarët dhe stafi teknik nuk duhet të ndikohen nga ngjarja e fundit. Sipas tij çdo gjë do të shkojë normalisht, dhe garante për ekipin do të dalë bashkia e qytetit.

“Nuk bëhet fjalë kurrsesi për krizë, - deklaron Sejdini. Ngjarja e ndodhur nuk e cënon aspak ecurinë e ekipit, pasi bashkia i ka të gjitha potencialet e duhura për vazhdimësinë normale të klubit”.

Sipas Sejdinit, bashkia e Elbasanit jep 240 milion lekë të vjetra për klubin, duke patur një përqindje të konsiderueshme në aksione.

Lidhur me arrestimin e presidentit Laze, ai është shprehur: “Çështja Laze nuk ka lidhje me futbollin. Nuk më takon mua si kryetar bashkie të flas për këtë gjë. Me një gjë të tillë merren organet e drejtësisë”.

Skuadra e Elbasanit vazhdon normalisht përgatitjet e saj në kuadër të ndeshjes së radhës me skuadrën e Besës së Kavajës. Në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” pritet një dyndje e madhe tifozës për t’i ardhur në mbështetje ekipit që ndodhet në një situatë aspak të mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›