Sejdini pranë Elbasanit, sot zyrtarizimi
Faruk Sejdini është trajneri i ri i Elbasanit për pjesën e mbetur të sezonit. Menjëherë pas shkarkimit të trajnerit Mirel Josa, i cili u largua nga drejtuesit pas humbjes 1-0 në ndeshjen e së mërkurës në Lushnjë, klubi verdheblu u hodh në kërkim të gjetjes së një trajneri të ri. Sipas burimeve të besueshme pranë kësaj skuadre, mësohet se alternativat nuk kanë munguar, ndërkohë që ajo e Sejdinit është profilizuar si më e mundshmja për të zënë vendin e lënë bosh nga largimi i Josës. Mes alternativave ka qenë edhe emri i ish-trajnerit të Partizanit, Hasan Lika. Por, ky i fundit, e ka refuzuar ofertën e Elbasanit, me pretendimin se ka plane të tjera më të mira për të ardhmen e tij. Ndërkohë që në orët e para të mbrëmjes së djeshme, kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, i cili është njëkohësisht edhe kreu aktual i klubit të Elbasanit, ka pasur një takim me Faruk Sejdinin. Mes palëve është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe "Xhaxhi" do të jetë trajneri i Elbasanit për këtë gjysmë të dytë të sezonit. Menjëherë pas takimit një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.