E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishel Platini kërcënon Mançester Sitin

Mishel Platini pozicionohet edhe një herë kundër futbollit anglez, duke deklaruar se Mançester Siti do të lihet jashtë aktiviteteve evropiane nëse vazhdon të bëjë oferta multimilionere për lojtarët më të mirë në botë. Drejtuesi më i lartë i UEFA-s mendon se "moda" e transferimeve gjithmonë në rritje të futbollistëve duhet të përfundojë. Ai nuk e fshehu faktin se do të përpilohet një plan financiar i secilës skuadër, në mënyrë që askush të mos shpenzojë më shumë sesa ka mundësi për të blerë vetëm një yll. Natyrisht, kampionati që shqetëson më shumë se askush tjetër Platininë është Premiershipi, ku Mançester Junajted dhe Çelsi janë të "zhytura" në borxhe. Këto dy klube, kanë qenë shpesh në qendër të kritikave të transalpinit. Pakënaqësitë e tij lidhen me ofertën faraonike të pronarëve arabë të Sitit për brazilianin e Milanit, Kaka. Platini deklaroi: "Si mund të kushtojë një lojtar 150 milionë euro? Për mendimin tim kjo është qesharake, nga pikëpamja futbollistike, sociale dhe financiare. Me kaq shumë para mund të blesh një aeroplan ose një varkë, por jo një njeri. Nuk them se është e pamundur, por kjo nuk shkon. Mendoj se duhet të bëjmë diçka për të parandaluar këtë fenomen". Më tej, presidenti i UEFA-s shpjegoi sistemin që do të përdoret kundër ofertave kaq të larta. "Po punojmë për ndërtimin e një sistemi ku klubet do të shpenzojnë aq sa kanë. Nëse një sheik blenë Kakanë për 150 milionë euro, atëherë ai duhet t‘i caktojë një rrogë shumë të lartë. Por, nëse klubi kalon bilancin me rrogat e futbollistëve që ka në skuadër, atëherë do të përjashtohet nga aktivitetet evropiane, sepse nuk kanë arritur të respektojnë buxhetin". Ideja e Platinisë është hedhur pas kërkesës së disa pronarëve të klubeve të ndryshme: "Me këtë sistem klubet nuk do të shpenzojnë përtej mundësive. Ata që do të skualifikohen do të zëvendësohen me klube të tjera nga ai vend: që ndodhen më poshtë në klasifikim, por që respektojnë kriteret e përcaktuara. Kjo masë nuk është ideuar për ta shkatërruar futbollin, por për ta mbrojtur atë. Janë të shumtë pronarët e klubeve që më kanë kërkuar ndërtimin e sistemit dhe kjo është ajo që po bëj si president i UEFA-s". Ndërkohë, më parë, Platini ishte shprehur kundër huazimit disaditor të Devid Bekham te Milani: "Duhet ta shqyrtojmë këtë transferim, pasi në këtë mënyrë u hapet rruga kontratave vetëm për një ndeshje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›