E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu - Toptan: Turqia mbështet Kosovën

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu priti të hënën kryetarin e Kuvendit të Turqisë, Köksal Toptan. Sejdiu e vlerësoi rolin mbështetës të Toptan, Presidentit dhe Kryeministrit të Turqisë për Kosovën dhe e falënderoi atë për investimet në fushën ekonomike, politike dhe të stabilitetit të Turqisë në Kosovë. "Turqia ka qenë një krah i fortë me mbështetje edhe në kohën e luftës për ekzistencë dhe për pavarësi dhe në kohën e qenies aleate e përbashkët e forcave të NATO-s për lirinë e Kosovës si dhe në kuadër të vendeve të para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe që kemi vendosur marrëdhënie diplomatike si dhe në bizneset e shumta që qytetarët e Turqisë dhe shteti turk kanë investuar në Kosovë", deklaroi Presidenti Sejdiu.
Duke theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë të veçanta, Presidenti Sejdiu vlerësoi kontributin e qytetarëve të Kosovës që janë në Turqi dhe të qytetarëve turq që janë në Kosovë. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Turqisë,Toptan tha se viziton Kosovën për të siguruar se lidhjet ndërmjet dy vendeve bazohen në kulturë dhe histori të përbashkët dhe janë të nivelit vëllazëror. "Turqia do të vazhdojë edhe më tutje të japë kontributin e saj në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, siç ka qenë deri më tani. Në kohët tona kur demokracia është një vlerë moderne stabilitetin e arritur nuk ka të drejtë askush që të kthejë prapa dhe të realizojë edhe njëherë një dhembje tjetër, e cila është përjetuar më parë", tha Toptan.
Ai premtoi se Turqia do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesë angazhimet e Kosovës për paqe dhe qetësi të vendit, dhe në këtë kontest ai foli për mbështetjen e Turqisë për Kosovën në rrugën e inkuadrimit në instancat veri-atlantike si dhe në mbështetjen e rritjes së numrit të njohjeve të reja.
Ai u shpreh se njëra ndër prioritetet e jashtme të vendit të tij është mbështetja e pavarësisë së Kosovës, si dhe mbështetja në fushën ekonomike, të shëndetësisë dhe të arsimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›