Reshjet rrezikojnë bllokimin e komunave
Shumë fshatra në Qarkun e Shkodrës rrezikojnë të mbesin të izoluara nga rrëshqitjet e dherave dhe përmbytjet. Alarmi është dhënë në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave Civile të organizuar nga Prefektura e Shkodrës. Kreu i Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, njëkohësisht dhe kryetar i Shtabit të Emergjencës Civile, ka fajësuar edhe banorët për situatën e krijuar, duke u tërhequr dhe një herë vëmendjen për të bllokuar ndërtimet në zonat ku mund të ketë përmbytje, pasi shteti nuk disponon shuma lekësh për të bërë investime kolosale në hapje kanalesh të mëdha. Zona më probleme ka rezultuar Komuna Shalë, pas daljes së lumit mbi rrugë, që rrezikon përmbytjen e fshatit. Ndërkohë, Ura e Thethit, që lidh Dukagjinin me Malësinë e Madhe e Shkodrën, nga çasti në çast rrezikon të shembet nga uji. Ndërkohë, në Komunën Guri i Zi, kanali kryesor nuk e përballon ujin dhe nëse hapen portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, do të rrezikohet përmbytja serioze e disa fshatrave. Gjithashtu situata e ditëve të fundit ka krijuar probleme me infrastrukturën në disa komuna. Kështu, në Kelmend dhe Iballë, rrëshqitjet e dherave kanë krijuar probleme me kalimin e rrugëve dhe bllokimin e përkohshëm të tyre. Sipas drejtorit të rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, pavarësisht punës, rruga e Dukagjinit në shumë vende ka probleme në rrëshqitjen e dherave.
Ar.Ho.
Ar.Ho.