Durrës, nuk dihet ende bilanci i dëmeve të përmbytjes
Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të plotë, duke e rënduar situatën e dhjetëra familjeve në banesat e të cilave uji ka depërtuar prej ditësh. Zyrtarë lokalë dhe qendrorë deklarojnë se emergjenca ka kaluar, po në terren gjendja vazhdon të jetë kritike. Kanali i ujërave të larta që përshkon zonën e plazhit mbetet i bllokuar dhe vetëm një automjet zjarrfikës i portit detar thith ujërat që kanë pushtuar shtëpi dhe rrugë. Shtabi i Emergjencës së Qarkut Durrës ende nuk deklaron të dhëna konkrete për numrin e shtëpive të dëmtuara, për sipërfaqet e tokës nën ujë dhe dëmin në të mbjella. Deri më tani janë 5 familje që kanë mbetur pa shtëpi dhe janë strehuar në hotele të qytetit nga bashkia, ndërsa kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, thotë se pranë bashkisë kanë kërkuar ndihmë për dëmet nga shiu edhe 11 familje të tjera që po verifikohen rast pas rasti. Shumë familje të tjera të prekura nga kushtet atmosferike dhe mosfunksionimi për disa orë i stacionit të pompave në Porto Romano nuk dinë kujt t‘ia adresojnë ankesën e tyre. Shefi i Shtabit të Emergjencës, prefekti Genc Alizoti, deklaroi se situata ka shkuar drejt normalitetit dhe nuk është më emergjencë, ndonëse të mërkurën pritet që intensiteti i reshjeve të jetë i lartë dhe të krijojë sërish probleme, veçanërisht në zonat e qarkut që ndodhen në të njëjtin nivel me detin. Sipas prefektit Alizoti, për të normalizuar situatën në këtë pjesë të banuar të plazhit, Bashkia e Durrësit dhe Këshilli i Qarkut do të akordojnë një fond për blerjen e një pompe të fuqishme që të mundësojë thithjen e të gjitha ujërave që janë futur në shtëpi dhe kanë mbuluar rrugët, duke e bërë të vështirë lëvizjen në to dhe qëndrimin brenda banesave. Ish-këneta, Spitalla, pjesë të tjera të Plazhit, si dhe oborret e shumë shkollave gjenden nën ujë. E rënduar paraqitet situata dhe në disa fshatra të komunave Bubq dhe Thumanë të Rrethit të Krujës.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi