E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Jo kushtëzimeve të Maqedonisë

Kreu shtetëror kosovar, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi është shprehur kundër kushtëzimeve që Maqedonia po i bënë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk lidhemi kurrsesi me kushtëzime. Për ne është më rëndësi që këto marrëdhënie praktike që janë më Maqedoninë të vazhdojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë kuadër do të vijë edhe momenti i njohjes, por nuk dua ta shënoj me datë se kur do të ndodh”, tha Sejdiu, njoftoi RTK.

Kryeministri Hashim Thaçi theksoi po të njëjtën linjë politike në raport me Maqedoninë, por ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt lidhur me çështjen nëse Kosova është e gatshme të njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

“Do të ketë mirëkuptim ditët e ardhshme nga autoritetet e Maqedonisë edhe më tepër për realitetin në Kosovë. Besoj fuqishëm se Maqedonia si të gjitha vendet e tjera demokratike do të jetë pjesë e njohjes së pavarësisë së Kosovës” , tha Thaçi.

Komentet e liderëve kosovar erdhën si reagim ndaj deklaratës së presidentit maqedonas i cili tha se, Kosova duhet ta njoh emrin kushtetues të Maqedonisë para se Shkupi të marrë vendim për njohjen e pavarësisë.

Presidenti maqedonas ditë më parë theksoi se njohja e emrit kushtetues të Maqedonisë dhe shënimi i kufirit do përcaktojnë qëndrimin për njohjen e Kosovës.

“Përdorimi i emrit kushtetues të Maqedonisë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe shënimi i kufirit janë dy çështje të rëndësishme që do të ndikojnë gjatë formimit të qëndrimit për njohjen e Kosovës” tha presidenti Branko Cërvenkovski.( INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›