"Serbia në BE, pas njohjes së Kosovës"
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrooke, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, deri sa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, po qëndron në Prishtinë. Pas takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësit e institucioneve qendrore, zoti Holbrooke tha se ndihej shumë i gëzuar që kishte rastin të vizitonte Kosovën e pavarur.
Ambasadori amerikan tha se kosovarët duhet të jenë të kënaqur me faktin se Kosova është njohur tashmë nga 46 vende.
Duke marrë parasysh diplomacinë agresive të Rusisë kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës, shifra prej 46 vendeve është shumë e mirë, u shpreh ambasadori Holbrooke.
Sipas tij, është më e rëndësishmja që Kosova të njihet edhe nga vendet fqinje, sidomos nga Maqedonia dhe Mali i Zi.
Në vazhdim, Holbrooke i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian që të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, përderisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se presidenti serb, Boris Tadiç, është një demokrat që tani edhe duhet të dëshmohet para se të pretendojë të shtyjë vendin e tij drejt BE-së.
Ambasadori Holbrooke i ka sugjeruar lidershipit të Kosovës që të mos përqendrohet vetëm në numrin e njohjeve, sepse që tani, siç tha ai, është me rëndësi që në Kosovë të ketë një përparim ekonomik.
Ai ka folur edhe për paralelet që janë tërhequr midis Kosovës dhe rajoneve separatiste në Gjeorgji, duke thënë se i kundërshton të gjithë ata politikanë e diplomatë ndërkombëtarë që bëjnë krahasime të tilla.
Holbrooke tha se Kosova dhe Osetia e Jugut apo Abkhazia janë storie krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën. Ai rikujtoi se me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova ishte vënë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe se me të njëjtën rezolutë kërkohej që të zgjidhej statusi i Kosovës.
Me pavarësinë e Kosovës, ky status është zgjidhur, tha ai. Ndërkaq, rajonet separatiste në Gjeorgji, sipas tij, janë aneksuar nga Rusia dhe nuk kanë legjitimitet të statusit që pretendojnë të kenë.
Ndryshe, ambasadori amerikan në mbrëmje do të mbajë një ligjëratë lidhur me zhvillimet në rajon e më gjerë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndërkaq nesër, para se të përmbyllë vizitën, pritet t'i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës./rel/