E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova faktor paqeje në Rajon

Prishtinë -Në përvjetorin e dhjetë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu theksoi se ky përvjetor është një sinjal i fuqishëm i botës liridashëse. “Sulmet 78-ditëshe të Aleancës Veriatlantike mbi caqet e ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë e shpëtuan popullin e Kosovës nga shfarosja e paramenduar, skenari i së cilës ishte hartuar me ftohtësi në qarqet më të larta shtetërore e akademike serbe. Si të tilla, ato paraqesin një akt të pakrahasueshëm të humanizmit, sepse u nisën nga ideja sublime e mbrojtjes së jetës së njerëzve, të cilëve nga çasti në çast dhe në mënyrë masive u kanosej vdekja”-shkruan Sejdiu në mesazhin e tij.

Presidenti kosovar ka shprehur mirënjohjen e tij të gjithmonshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet e tjera të botës demokratike, që e ndihmuan Kosovën në orët më të liga të historisë së saj dhe po e ndihmojnë edhe sot në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e institucioneve tona demokratike. Ai tha se ushtarët e KFOR-it, po bëjnë një punë të shkëlqyeshme për ruajtjen e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, qëndrimi i popullit të Kosovës për ushtarët e KFOR-it mund të shihet në buzëqeshjen e rikthyer të fëmijëve të Kosovës. Po kështu, falënderojmë edhe përfaqësuesit e EULEX-it, i cili me ftesën tonë ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar perfeksionimin e kapaciteteve tona në fushë të sundimit të ligjit dhe të drejtësisë”-vijon mesazhi.

Sejdiu tha më tej, se falë intervenimit të NATO-s, dhe ndërkombëtarëve, Republika e Kosovës është shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Ajo angazhohet jetësisht për kultivimin e frymës së bashkëpunimit dhe të miqësisë më të gjitha vendet fqinje dhe pret që të kuptohet drejt në këtë qasje të saj.

“Kosova është e përcaktuar për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj, duke i kushtuar vëmendje të veçantë punësimit të të rinjve, zhvillimit ekonomik dhe të nxitjes së investimeve të jashtme në vendin tonë”-përfundon mesazhi i kreut të shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›