E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 10-vitesh NATO në Kosovë, ç’po bëhet me të?

Prishtinë -Fillimisht me 50 mijë ushtarë, misioni paqeruajtës i NATO-s edhe pas 10 vitesh mbetet në Kosovë me mandate të pandryshuar, ndonëse me një numër dukshëm më të vogël të trupave. Një dekadë më vonë, NATO numëron 17 mijë pjesëtarë me tendencë të zvogëlimit të mëtutjeshëm të trupave që ndodhen ne terren e që është rezultat i stabilizimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ndonëse zyrtarët e NATO-s nuk e pranojnë këtë publikisht, aleanca tashmë është duke e konsideruar zvogëlimin e misionit të KFOR-it.

Sekretari i përgjithshëm I NATO-s Jaap de Hoop Scheffer insiston se ende nuk ka ardhur momenti për arritjen e marrëveshjes politike për zvogëlimin e KFOR-it, por debati për këtë do nisë zyrtarisht në muajin qershor gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes së aleancës. Ndërkohë komandanti i forcave supreme duhet të përgatitë planin strategjik se në ç’formë do implementohet reduktimi i KFOR-it.

Jo rrallë, edhe NATO-ja për këtë dekadë pësoi për shkak të konflikteve politike në lidhje me Kosovën. Këto u intensifikuan pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Duke munguar uniteti në njohjen e shtetit më të ri në botë, disa vende anëtare të NATO-s, që refuzojnë të njohin shtetin e Kosovës, u tërhoqën nga procesi i themelimit të FSK-së, edhe përkundër premtimit formal të aleancës në vitin 2006 se do ta luaj rolin kyç në këtë proces.

Gjithashtu disa vende anëtare në mënyrë individuale filluan tërheqjen e trupave, ndërsa vendimi i Spanjës për tërheqjen e plotë të ushtarëve spanjoll shkaktoi pakënaqësi në mesin e aleatëve, madje deri te vet kreu i aleancës.

Në ditën e parë të bombardimeve, NATO-ja numëronte 16 anëtarë, ndërsa sot, në prag të ditëlindjes së saj të 60-të, aleanca veriatlantike ka 26 shtete dhe mban të hapura dyert për vendet tjera aspirante. Javën që vjen pritet që NATO të pasurohet edhe me 2 shtete tjera, kësaj radhe nga grupi i Ballkanit perëndimor.

Shqipëria dhe Kroacia do jenë vendet më të reja të NATO-s. Serbia nga ana tjetër, mu për shkak të bombardimeve të dhjetëvjeçarit të kaluar refuzon të nisë procesin e anëtarësimit. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›