E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova mirënjohëse Shqipërisë

Prishtinë - “Republika e Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohëse Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e madhe që na ka dhënë në proceset e përbashkëta që kemi kaluar”, tha Presidenti Sejdiu gjatë takimit me Ambasadorin e parë të Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Presidenti Sejdiu, edhe në këtë takim, përsëriti kërkesën e tij për thellimin dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit të gjithanshëm në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke potencuar veçanërisht domosdonë e zyrtarizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, pa pasaporta, akt ky që do të ridëshmonte shpirtin e vërtetë evropian të shqiptarëve dhe synimin e tyre për të qenë sa më parë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në proceset e mëdha të integrimeve euroatlantike.

Ndërsa, Ambasadori Islam Lauka rikonfirmoi vendosmërinë e Republikës së Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në të gjitha aspektet në proceset që, siç tha ai, tashmë kanë marrë udhë, pavarësinë, përpjekjet për integrimet euroatlantike dhe për afirmimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, i cili një ditë do të ketë vendin e vet edhe në OKB.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›