E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontestohet kandidatura e Rufi Osmanit

Shkup - Kandidatura e Rufi Osmanit për kryetarë të komunës së Gostivarit është refuzuar nga Komisioni komunal zgjedhor në Gostivar. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i këtij komisioni Berat Abazi. Sipas tij, kandidatura është kontestuar për shkak të pengesave ligjore në Kodin Zgjedhor, edhe atë në bazë të nenit 7, paragrafi 2 alineja 4 e Kodit Zgjedhor në të cilin thuhet se “të drejtë për t’u zgjedhur kryetarë komune ka çdo shtetas i Maqedonisë nëse nuk është i dënuar me vendim të plotfuqishëm me burg pa kusht mbi gjashtë muaj”. Pas këtij vendimi të Komisionit komunal zgjedhor Rufi Osmani ka parashtruar ankesë deri tek Gjykata administrative e cila brenda 24 orësh duhet të prononcohet rreth këtij vendimi të Komisionit.

Ndryshe, më 9 korrik të vitit 1997 Rufi Osmani në cilësinë e kryetarit të komunës refuzoi të heqë nga shtizat e komunës flamurin shqiptarë me çka u dënua me afro 14 vjet burg.

Ai qëndroi në burg nëntë muaj ndërsa më pas u fal nga Parlamenti së bashku me ish kryetarin e komunës së Tetovës Alajdin Demirin dhe Refik Dautin kryetar i këshillit të komunës së Gostivarit. Në këto incidente jetën e humbën tre persona ndërsa shumë të tjerë u arrestuan nga policia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›