Sejdiu: LDK-ja, në pozicion të papërcaktuar politik

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, konsideron se Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht është në një pozicion të papërcaktuar politik. Nuk dihet nëse është opozitë apo është pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo gjendje, sipas tij, është krijuar nga momenti kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka vënë nënshkrimin në “marrëveshjen e panatyrshme politike” për tejkalimin e ngërçit politik, i cili ishte krijuar me rastin e largimit të Behgjet Pacollit nga Presidenca.
Në një intervistë për një media kosovare, kryetari i nderit i LDK-së thotë se PDK-ja dhe Koalicioni për Kosovë të Re mund të ndihen rehatshëm gjatë ushtrimit të mandatit qeverisës për arsye se kanë marrë mbështetjen e partisë që mëton të jetë lidere e opozitës.
Sejdiu shprehet i bindur se LDK-ja sot do të ishte në Qeveri, sikur Mustafa të hynte në koalicion parazgjedhor me AAK-në.
Thotë se e ka edhe përgjigjen pse nuk është arritur një koalicion i tillë, mirëpo nuk parapëlqen ta tregojë në këtë kohë.
Njeriu që e ka udhëhequr shtetin për afro pesë vjet është i gatshëm që të angazhohet në projekte shtetërore, mirëpo e pranon se deri tani nuk i është kërkuar një gjë e tillë nga qeveria. Sidoqoftë, ai e lë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale t`i nënshtrohet vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, për t`u kthyer në postin më të lartë të shtetit. Në intervistë Sejdiu mohon të ketë pasur ndonjë bashkëpunim me SHIK-un, qoftë të drejtpërdrejtë, qoftë përmes këshilltarëve të tij. Mohon të ketë pasur kontakte edhe me Ramë Marajn, edhe pse e di që ai ka qenë këshilltar për siguri i presidentit Ibrahim Rugova. Në mënyrë të prerë ai thotë se gjatë kohës kur e ka drejtuar LDK-në, kjo parti nuk ka pasur shërbim sekret të saj por nuk garanton asgjë për këtë kohë kur ai nuk e drejton këtë parti. Ai është optimist se një ditë do të arrijë t`i hedhë në letër bibiografinë e tij politike.