E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Nuk paragjykojmë mendimet këshillëdhënëse

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga vizita në Malavi, ka deklaruar se gjatë takimeve që ka zhvilluar atje, ka marrë mbështetjen e mëtejme të këtij shteti afrikan për të lobuar në njohje të reja në mesin e vendeve të Unionit Afrikan.

Ai këto komente i bëri të dielën në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, me ç’rast ka vlerësuar pozitivisht vizitën e tij zyrtare treditore në Malavi, ku pati takime me autoritetet e larta të këtij vendi.

“Ka qenë një vizitë me peshë në kuptimin e zhvillimit të debatit që kemi pasur, të akordancës në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, që është me rëndësi për perspektivën e ardhshme, dhe po ashtu një përkushtim i veçantë për shtetin e Malavit, për mbështetjet e mëtejshme për Kosovën në kuptimin e njohjeve. Andaj unë duhet të çmoj lart rolin që ka ky president, që është njëkohësisht edhe kryesues i Unionit Afrikan, ka një rol të veçuar në kuptimin e asocimit të shumë vendeve apo të gjitha vendeve të Afrikës, ku do të ketë takime të rëndësishme në muajt në vijim, dhe them se ishte një angazhim i tij i drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Duke folur rreth mendimit të GJND-së rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës i cili do të jepet muajin korrik, presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova tashmë ka prezantuar të gjitha argumentet e saja, sikurse edhe vendet e tjera të cilat mbështesin fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

“Ne asnjëherë nuk paragjykojmë vendimet apo mendimet këshillëdhënëse të gjykatës, edhe pse është mendim nuk është vendim, e dyta të them se në rrjedhën e gjithë tanishme Kosova ka shquar në mënyrë të dinjitetshme argumentet e saja dhe them jo vetëm Kosova por gjithë mbështetësit e Kosovës, qoftë në procesin e dorëzimit të mbështetjeve me shkrim, qoftë në procesin e dorëzimit të mbështetjes gojore, dhe angazhimet e tjera.

Sejdiu është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e deritanishme të votuesve që kanë dalë në zgjedhjet e sotme që po mbahen në Partesh, duke vlerësuar me këtë rast se procesi zgjedhor që nga viti i kaluar e deri sot ka qenë një sprovë e mirë për t’iu kthyer realitetit.

“Më inkurajoi pjesëmarrja e tyre e deritanishme, pra një përqindje e mirë që kanë dalë në zgjedhje në ditën e sotme, dhe besoj që gjatë ditës do të ketë një mbushje të mirë të elektoratit në përgjigje të daljes në votim dhe njëkohësisht unë them se këto zgjedhje që kanë qenë nga nëntori deri tash me pjesëmarrje edhe të komunitetit serb, kanë qenë edhe një sprovë e mirë edhe për ta për t’iu kthyer realitetit praktik dhe perspektivës së përbashkët në shtetin tonë të përbashkët, i gjithë etnive pavarësisht shumicës dhe pakicave”, ka thënë Sejdiu. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›