Sejdiu: Pavarësia i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit
"Gjatë dy viteve si shtet i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Fillimisht, janë përgënjeshtruar të gjithë ata që thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, meqenëse të gjitha shtetet tona fqinje, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me këto vende", tha Sejdiu. "Por, përveç me fqinjët tanë të parë, Republikën e Malit të Zi, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë, ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta edhe me vende të tjera të rajonit, si me Kroacinë, me Slloveninë, me Turqinë, me Bullgarinë, me Hungarinë, etj.", shtoi ai. "Pra, pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në Evropën Juglindore, kështu që kundërshtuesit e saj përfundimisht duhet të heqin dorë nga pengimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie", theksoi presidenti kosovar. Zoti Sejdiu ka thënë se shteti i Kosovës, i njohur deri tani nga 64 vende anëtare të OKB-së, shikon të ardhmen dhe i ka shtrirë dorën e miqësisë edhe Serbisë, përkundër tragjedive që i ka shkaktuar. "Kosova nuk mund të harrojë atë çka ka ndodhur në të kaluarën dhe tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, ka vendosur ta mbyllë atë kapitull dhe të kthehet nga e ardhmja për të mirën e gjeneratave të ardhshme", tha ai. Presidenti i shtetit më të ri ka theksuar arritjet gjatë dy viteve të pavarësisë, duke i vlerësuar të mëdha, por ka shtuar se "Kosova ka ende sfida në veriun e vendit, ku kemi një përqendrim më të theksuar të strukturave paralele, të cilat financohen nga Beogradi zyrtar". "Serbia investon fuqishëm që atë pjesë të mbajë sa më larg normalitetit, sepse nëpërmjet saj synon ta destabilizojë tërë Kosovën. Kuptohet, kjo bëhet me qëllimin që pastaj të thuhet, ja, Kosova nuk është në gjendje të funksionojë si shtet demokratik", shtoi ai.