Rastet e Hagës mund të destabilizojnë Maqedoninë
“Çdo tentim për hapje të këtyre rasteve bëhet me prapavijë politike, andaj hapja e tyre mund të reflektohet negativisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në stabilitetin e Maqedonisë. Dihet se Ligji për amnisti ishte një nga kushtet për dorëzimin e armatimit nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, paralajmëron Ademi. Megjithatë, ai siguron se nuk ka nevojë për shqetësim, pasi garanton se partia e tij nuk do të lejojë keqpërdorim të këtyre rasteve. “Ndoshta dikush mundohet që përmes rasteve të Hagës të na disiplinojë neve, ose subjektet politike shqiptare, mirëpo ne nuk do të lejojmë një gjë të tillë. Ne jemi të njoftuar dhe në rrjedhë me këto raste”, thekson Ademi. Katër rastet e Hagës u riaktualizuan pas arrestimit të Shkodran Idrizit në Gjermani dhe arrestimit të Kadri Sulejmanit nga fshati Kamjan i Tetovës. Subjektet politike shqiptare dhe maqedonase kanë qëndrime të kundërta lidhur me këto raste. Përderisa partitë shqiptare insistojnë se këto katër raste duhet të përfshihen me ligjin për amnisti, partitë maqedonase vlerësojnë se ato duhet te procedohen para gjykatave ne Maqedoni. Tribunali për Krime Luftë në ish-Jugosllavi me seli në Hagë hapi hetime për pesë raste nga Maqedonia, për shkak të dyshimeve për krime lufte. Pas hetimeve disavjeçare, Tribunali nuk gjeti argumente për krime lufte në katër rastet ku të dyshuar ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së. I vetmi rast për të cilin Tribunali i Hagës shqiptoi dënime ishte rasti i masakrës së shqiptarëve nga ana e forcave maqedonase në fshatin Luboten të Shkupit. Për këtë rast është duke vuajtur dënimin ish-komandanti policor, Johan Tarculovski. /lajm/