E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Rrota e historisë skthehet prapa

Rrota e historisë nuk mund të kthehet pas. Kosova është e pavarur mbi bazën e argumenteve të fuqishme, në radhë të parë të vullnetit politik të popullit të saj...

Kështu i është përgjigjur sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, presidentit rus, Dimitry Medvedev, i cili dje në Beograd deklaroi se çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur, ndërsa i dha mbështetje Serbisë për ruajtjen e sovranitetit në Kosovë.

Rrota e historisë as nuk mund të ndalet, as të kthehet pas. Kosova është e pavarur mbi bazë të argumenteve të fuqishme, në radhë të parë të vullnetit politik të popullit të saj, të zhvillimeve të mëhershme dhe të cilësisë që ka pasur në kuadër të një shteti që është shkatërruar, që ka qenë njësi përbërëse e atij shteti dhe në kuadër të gjithë proceseve të tjera që kanë ndodhur, ka thënë Sejdiu, transmeton KosovaPress.

Sejdiu u shpreh para gazetarëve se Rusia me këtë qëndrim, po i shkel pikat e Grupit të Kontaktit për Kosovën, të përcaktuara në dhjetor 2005, ku theksohet se duhet të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës.

Presidenti Sejdiu tha se Rusia nuk ka qenë kundër këtij qëndrimi të Grupit të Kontaktit, madje ka qenë pjesëmarrëse në procesin e negociatave të udhëhequra nga presidenti Ahtisaari, ka qenë pjesëmarrëse në procesin e treshes në 120-ditëshin për Kosovën dhe gjithmonë qëndrimi i saj ka qenë për një zgjidhje të qëndrueshme për paqen dhe stabilitetin.

Për këtë arsye, Sejdiu pret që Rusia të ketë qasje të re ndaj Kosovës, e jo qasje që krijon tensione.

Këto komente, kreu i Republikës i bëri pas takimit me ambasadoren e Finlandës me seli në Sofje, përgjegjëse edhe për Kosovë, Taria Laitiainen, prej të cilës ka pranuar edhe letrat kredenciale.

Me këtë rast, Sejdiu ka thënë se Finlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›