E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Serbët kanë detyrim të dalin në zgjedhje

PRISHTINE- Institucionet e Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremic, i cili vendosi paralelizëm mes serbëve të Kosovës, të cilët do të votojnë më 15 nëntor, me shqiptarët e Milloshevicit.

Liderët e Kosovës e kanë quajtur të papranueshëm një krahasim të tillë midis pozitës së serbëve sot në Kosovë dhe shqiptarëve gjatë kohës së Milloshevicit.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se serbët e Kosovës janë qytetarët të Kosovës dhe janë borxhlinj ndaj vetvetes për të dalë në zgjedhje.

“S’ di për cilët e serb e ka fjalën, serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, janë në atdhe të vetin dhe janë borxhlinj të punojnë për vetën dhe për interesat e vendit tonë, sepse është atdhe i përbashkët dhe nuk dua të merrem me interpretime që Jeremic do t’i bëjë me obstruksionet e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës”, ka theksuar presidenti Sejdiu.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se konstatime të tilla janë të pabaza, të pakrahasueshme dhe të papranueshme.

“Konsideroj që çdo përpjekje për të krahasuar gjendjen e shqiptarëve në regjimin e Milloshevicit, me gjendjen e serbëve në Kosovë totalisht është e pabazë dhe nuk ka kuptim. Nuk mund të ketë shenja të barazisë mes pozitës së shqiptarëve para vitit ‘99 në Kosovë dhe mes pozitës së serbëve pas vitit 99”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Deklaratat e Sejdiut dhe Krasniqit u bënë pas një takimi njohës që kanë zhvilluar dje me Osnat Lubrani, koordinatore e re e Agjencive të OKB-së dhe  përfaqësuese e përhershme e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në vendin tonë.
(s.g/rtk/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›