Hyseni: Kosova do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave

Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, e ka vlerësuar si të suksesshëm vitin që po lëmë pas, duke thënë se pavarësia e Kosovës do të vazhdojë të njihet deri në anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare, ndërsa është shprehur optimist se së shpejti Kosova do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me BE-në.
Në një konferencë për media të hënën, kryediplomati Hyseni veçoi ndër suksese të mëdha anëtarësimin e vendit në institucionet e kryesore financiare Banka Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, me çka sipas tij, Kosova ka dëshmuar me stabilitetit makroekonomik dhe makrofiskal.
“Kosova ka vazhduar të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me botën në mënyrë të suksesshme janë nënshkruar shumë marrëveshje ndërkombëtare qoftë nga Ministria e Jashtme, qoftë nga ministritë tjera të kabinetit qeverisës dhe me anëtarësimin në Fond Monetar Ndërkombëtar dhe Bankë Botore Kosova ka dëshmuar si vend si shtet i cili ka disiplinë buxhetore, si vend dhe shtet i cili ka stabilitet makroekonomik dhe makrofiskal”, ka thënë ministri Hyseni, siç trasmeton KosovaPress.
Numri një i diplomacisë kosovare nuk ka dashur të komentojë ngecjen në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila sivjet është pranuar nga 11 vende, ndonëse e ka pranuar se në ngecjen e njohjeve ka ndikuar procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë të njihet nga kombet e lira të botës deri në anëtarësimin e plotë në të gjitha institucionet dhe nismat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.
Kryediplomati Hyseni ka thënë se nuk e sheh si pengesë mos njohjen e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së, për çështjen e liberalizimit të vizave, pasi tashmë dy nga këto vende Greqia dhe Sllovakia, kanë njohur pasaportat e Kosovës.
“Njohja ndonëse shumë e dëshirueshme edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e pengon, sepse gjithmonë kanë zgjedhje të mesme dhe janë pikërisht këto zgjidhje të mesme, të cilat po synohet në mënyrë që edhe Kosova të arrijë liberalizimin dhe do ta arrijë edhe pa njohjen e të gjitha pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse mosnjohja zyrtare e shtetit të Kosovës nuk kanë penguar disa vende që të mos njohin pasaportat e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ministri Hyseni është shprehur optimist se Kosova shumë shpejt do të marrë udhërrëfyesin për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm pa viza, në vendet e unionit evropian.
“Gjithsesi, proceset euroatlantike dhe integrimet në strukturat euroatlantike janë dhe do të vazhdojnë të mbesin sfidë nga sfidat kryesore të Republikës së Kosovës. Kosova jam shumë optimist shpejt do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe shpejt edhe Kosova do t’u bashkohet kombeve të lira të Ballkanit Perëndimor në atë që quhet lëvizje e lirë në zonën Shengen”, ka thënë ai
Kosova ka 21 misione diplomatike të akredituara dhe është njohur nga gjithsej 64 vende të botës, prej të cilave sivjet vetëm 11.