E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu di te thote dhe JO

Shkupi zyrtar tentoi, nje dite me pare, te perdorte te njejten strategji hileqare, me te cilen po i trajton kohet e fundit marredheniet bilaterale me Republiken e Kosoves. Ftesa per nje vizite zyrtare per Presidentit Fatmir Sejdiu u shnderrua papritur ne ftese per nje vizite pune. Madje jo ne Shkup, por ne Oher, ku presidenti i sapozgjedhur, Ivanov, do te gjente kohe te shkeputej nga forumi i biznesit turko- maqedonas, per t'i dhene doren homologut kosovar. Ky ishte plani maqedon, sipas variantit te njohur, qe edhe palen kosovare ta begenise disi, por edhe ne raportet me Beogradin te mos shkaktoje asnje lekundje.

Shkupi e provoi me sukses nje loje te tille diplomatike, kur refuzoi te ftonte ne ceremonine e inaugurimit te presidentin Ivanov, kreun e shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu. Heshtja dhe terheqja gati me perulje e Sejdiut, "u ble" me nje ftese zyrtare qe protokolli maqedon ia dergoi pa humbur kohe liderit kosovar. Ky i fundit e pranoi dhe gjithcka u konsiderua nje operacion i sukesshem per diplomacine maqedone. Serbia mbeti e kenaqur qe kushti i saj u plotesua, ndersa Kosova, pas shkopit, u gezua me karoten.

Por Shkupit, perballe peruljes se pales kosovare, me sa duket edhe karrota i eshte dukur teper. Nje ceremoni zyrtare dhe nje pritje shteterore e presidentit Fatmir Sejdiu, i pari homolog qe do te takohej zyrtarisht me presidentin e ri maqedon, mund te irritonte Beogradin, qe ende nuk e ka kaperdire njohjen e Kosoves nga vendet fqinje. Zgjidhja eshte menduar perseri ne kurriz te pales kosovare. Thelbi i vizites eshte nderruar, duke menduar se edhe kete radhe Fatmir Sejdiu nuk do te thote jo. A nuk ka qene keshtu dhe heret e tjera?

Po, ka qene. Por kete here Fatmir Sejdiu tha: JO. Dhe kishte shume arsye per ta bere kete. Presidenti i Kosoves u detyrua ta kaperdije fyerjen qe iu be atij dhe vendit te tij, duke mos i konsideruar te barabarte me te tjeret ne rajon ne ceremonine e inaugurimit te Ivanovit, per hir te stabilitetit dhe konjukturave te brishta pas njohjes se pavaresise. Per kete iu desh te paguaje nje fature te larte dinjiteti perballe opinionit publik qe thuajse i gjithi kerkoi qe shteti i tyre te respektohej. Nje neperkembje e dyte do te ishte fatale dhe do ta zhvleresonte krejtesisht institucionin e presidences. Prandaj Fatmir Sejdiu tha jo. Nese ai do te kishte pranuar te shkonte ne Oher per nje takim pune me Ivanovin, Shkupi zyrtar do te bindej se me institucionet e Kosoves mund te sillesh si te duash. Madje nuk do te ishte cudi, qe presidentin Sejdiu ta kthenin edhe ne kufi, per "defekt te kompjuterit", e t'i thonin qe viziten mund ta bente nje dite tjeter. Kete tejkalim te pasjellshem dhe arrogant te se drejtes nga pala maqedone, Sejdiu nuk kishte si ta toleronte. Dhe veproi shume mire duke e refuzuar ftesen e percudnuar.

Presidenti i Kosoves kishte arsye t'i thoshte jo diabolizmit te fqinjit jugor edhe ne emer te asaj cka ai perfaqeson. Sejdiu duhej te tregonte se ai di te sillet si President i nje vendi te pavarur dhe se i respekton te gjitha ndjeshmerite e qytetareve te tij. Nje lider, qe ka kurajen t'i pergjigjet dhe te shkoje ne sinkron me shqetesimin e opinionit publik. Ai kete here ka thene jo edhe ne emer te qytetareve te Kosoves. Dhe Presidenti perseri ka bere mire qe e refuzoi takimin.

Fatmir Sejdiu duhej te thoshte jo edhe per te vendosur ne vend autoritetin e vendit te tij ne raport me Ish-Republiken Jugosllave te Maqedonise. Marredheniet e fqinjesise se mire bazohen mbi reciprocitetin dhe Shkupi nuk mund te aplikoje vazhdimisht standarde te dyfishta me Kosoven. Ai nuk mundet, i detyruar mesa duket nga presioni nderkombetar, qe edhe ta njohe Kosoven shtet, por edhe te zvarrise marredheniet diplomatike. Nuk mundet te deklaroje se e respekton fqinjin verior, por qytetaret dhe presidentin e tij t'i trajtoje si te dores se dyte. Duke refuzuar ftesen per te takuar Ivanovin, presidenti Sejdiu i dha me ne fund nje leksion te mire Ish Republikes Jugosllave te Maqedonise, ate se me Kosoven, ketej e tutje, duhet bere kujdes. Sjellja e kujdesshme nuk duhet perkthyer gjithnje si dobesi. Edhe per kete mesazh, Sejdiu beri mire qe refuzoi.

Vendime te tilla, ndonese jo shume te medha ne dukje, jane pika kyce ne marredheniet mes shteteve. Shqiptaret e Kosoves, sot e kane ndjere shtetin e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›