Qeveria e Kosovës fond për integrimin e veriut
Në këtë strategji qeveria pret edhe ndihmën e Komisionit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Qeveria ka premtuar fond të veçantë për veriun e Kosovës, në mënyrë që të zbatojë strategjinë për integrimin e kësaj pjese. Vlera e këtij fondi nuk është bërë ende publike, meqë vetë hartimi i strategjisë nuk ka përfunduar, por thuhet se është në fazën finale. Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala konfirmon se një pjesë e fondit do të ndahet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.“Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar që t’i zgjidhë problemet jo vetëm në veri. Ne, në kuadër të strategjisë për veriun, do të ndajmë një shumë të caktuar mjetesh, të cilës besoj se do t’i bashkohen edhe donatorë të tjerë të rëndësishëm politikë dhe strategjikë”, deklaron ministri Shala.“Nuk jam në gjendje që ta them shumën, por do të jetë një shumë e konsiderueshme, për t’iu ofruar komuniteteve në veri një komoditet më të mirë sa u përket investimeve kapitale dhe nevojave të tjera për një jetë më të mirë”, thotë Shala. Qeveria llogarit edhe në ndihmën financiare të partnerëve për zbatimin e strategjisë për veriun, e cila qëllim kryesor ka vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.“Sigurisht se do të jenë partnerët tanë strategjikë, Komisioni Evropian, SHBA-të dhe mbase ndonjë shtet, me të cilin kemi marrëdhënie bilaterale”, thekson ministri Shala.Veriu është jashtë kontrollit të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore për më shumë se 10 vjet. Ndarja e fondit për integrimin e veriut, pas 10 vjetëve të ekzistencës së këtij problemi, sipas ekspertëve të ekonomisë, duhet të përcillet edhe me masa të tjera.