E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu nuk flet për letrën e Haradinajt

Presidenti Fatmir Sejdiu ka refuzuar të flasë për letrën që mori ditë më parë nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të enjten, Sejdiu nuk u përgjigj në pyetjen e gazetarëve nëse do ta pranojë ofertën e Haradinajt që LDK dhe AAK të garojnë me listë të përbashkët, në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Në një konferencë për media pasi që Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean François Fitou, ia dorëzoi kredencialet, Presidenti Sejdiu ka vazhduar të flasë rreth takimit me diplomatin francez, përkundër që pyetja e gazetarëve kishte të bënte me letrën e Haradinajt.

Ndryshe nga Presidenti, përfaqësuesit e partive të tjera e kanë komentuar të enjten përmbajtjen e kësaj letre.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, njëherësh Nënkryetar i PDK’së, tha të enjten për Express se Koalicioni PDK-LDK është shumë stabil.

“Besoj se mbledhjet politike partiake do të bëhen edhe më atraktive, në kohën e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Besoj që mungesa e identiteteve dhe besimit në vetvete është më shumë kërkesë për koalicione sesa parimore”, tha Kuçi, për Express.

Për letrën e Haradinajt dërguar Sejdiut, ka folur edhe kreu i LDD’së, Nexhat Daci, i cili tha se nuk është kontaktuar nga Haradinaj për koalicionin e përmendur ku do të merrnin pjesë partitë e profilit të djathtë.

“LDD nuk është kontaktuar. Është e drejtë e AAK’së për dokumentet që i dërgon. Unë nuk kam koment. Është përgjegjësi e atyre që e kanë pranuar atë letër. LDD është e hapur për çdo lloj bisede, por nuk është e hapur për asnjë dokument manipulativ, përgjigjja e të cilit dihet. LDD është për punë serioze, kombëtare, shtetërore dhe profesionale”, tha Daci.

Ai tha se LDD është provokuar rëndë dhe ka pasur propozime serioze që kjo parti të heqë dorë nga përkrahjet për kandidatët e caktuar të LDK’së.

“Në mënyrën më të qartë i është tërheq vëmendja kryetarit të ngrirë të LDK’së që të mos merret me punë jokushtetuese, por të jetë person unifikues”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›