MPJ përgënjeshtron mediat serbe

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe asnjë delegacion kosovar nuk kanë aplikuar për vizë me qëllim që të jetë i pranishëm në Samitin e Unionit Afrikan.
Pas publikimit të lajmit nga agjencitë serbe të lajmeve se Hysenit bashkë me disa anëtarë të delegacionit nuk u është dhënë viza nga autoritetet etiopiane për të udhëtar në Adis Abeba, MPJ e ka demantuar këtë informacion.
Zëdhënësja e MPJ’së, Albana Beqiri tha për Express se Ministri Hyseni dhe asnjë delegacion kosovar, asnjëherë nuk kanë pasur indicie për të marrë pjesë në takimin e Unionit Afrikan.
“Ky është një trillim i kulluar për të cilin nuk mund të bëjmë asnjë lloj komenti tjetër, përpos ta demontojmë si të pavërtete”, tha ajo.
Agjencia e lajmeve FoNet e Beogradit ka shkruar të enjten se Ministrit Hyseni dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit nga Kosova nuk iu ka dhënë viza me kërkesë të Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, sipas kësaj agjencie i ka shprehur falënderimet homologut etiopian, Sejum Mesfinit. Etiopia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.