E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu pa rival, Mustafa pritet të avancohet

Prishtinë, 29 gusht - Dy javë para fillimit të procesit zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu vazhdon të mbetet kandidati i vetëm potencial për t’u rizgjedhur edhe për një mandat në krye të kësaj partie.
Zyrtarë të lartë të LDK-së nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në garë për kryetar të futet edhe ndonjë anëtar tjetër, por, deri tash, sipas tyre, asnjëri nga ta nuk ka shfaqur ambicie për një gjë të tillë. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, ka deklaruar të shtunën se në mbledhjet e Kryesisë së partisë, asnjëherë nuk është shtruar çështja e kandidimeve për kryetar dhe rrjedhimisht kryetari aktual, Fatmir Sejdiu, ka mbetur i vetmi kandidat i mundshëm për të qëndruar në krye të partisë edhe për katër vjet.
“Në Kryesi nuk është kontestuar asnjëherë që kryetari Sejdiu të vazhdojë të mbetet në krye të partisë”, ka thënë Beqiri.
Kreu i shtetit, në fakt, që nga 25 qershori ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese nën vlerësimin e 32 deputetëve se është duke e shkelur Kushtetutën, përmes mbajtjes së postit të ngrirë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ngritja e kësaj çështjeje në Gjykatë është iniciuar nga deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, por është mbështetur nga deputetët e pothuajse të të gjitha partive parlamentare, përfshirë edhe deputetin e LDK-së, Ali Lajçi. Sejdiu ka angazhuar tre avokatë për mbrojtjen dhe realizimin e interesave të tij në këtë lëndë.
Drejtuesit e LDK-së vazhdojnë të kenë bindjen se Sejdiu nuk ka bërë asnjë lloj shkeljeje, për faktin se nuk e ka ushtruar në mënyrë aktive funksionin e partisë, që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës.
Në këtë parti, së paku, nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e ardhshme të ketë lëvizje në strukturat drejtuese të partisë.
Ismet Beqiri e përmend kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, si një nga anëtarët që mund të avancohet në këto struktura.
“Isa Mustafa është njeri me kredibilitet si në parti, ashtu edhe te qytetarët, prandaj është shumë e arsyeshme që ai të jetë në strukturat e larta të partisë”, ka theksuar ai.
Aktualisht Mustafa është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Beqiri nuk parapëlqyer të lëshohet në komentime të publikimeve mediale, të cilat e kanë nxjerrë Bujar Bukoshin si kandidat të mundshëm për kryetar të LDK-së (më gjerësisht sot në Kohën Ditore”).

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›