E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Ditën e të Zhdukurve vetëm fotografitë e tyre

Prishtinë, 29 gusht - Në Kosovë, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 30 gushtit - Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, shoqatat e familjarëve kanë bërë ripërtëritjen e fotografive të personave të pagjetur. Me lot në sy dhe të dëshpëruar për shkak të heshtjes së institucioneve, që nuk kanë bërë asgjë rreth zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre, familjarët janë ngushëlluar për ta duke bërë ripërtëritjen e fotografive të tyre. Ata gjithashtu kanë thënë se edhe bashkësia ndërkombëtare përballë tyre po luan rolin e të shurdhrit. Ndërsa, përfaqësuesja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, ka kritikuar Qeverinë që nuk po ndërmerr asnjë hap për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Për varrezën e Rashkës ajo ka thënë se është duke u luajtur një lojë politike e Serbisë dhe e Bashkësisë Ndërkombëtare. Kjo është hera e tretë që familjarët kanë bërë ripërtëritjen e fotografive.    
Edhe pse janë bërë 11 vjet pas përfundimit të luftës, shpresat për familjarët e të të zhdukurve se më të  dashurit e tyre do të gjenden, mbesin të vogla. Familjarët e tyre, duke u shprehur të pakënaqur me punën e institucioneve të Kosovës, thonë se Qeveria dhe Presidenca nuk po e qajnë hallin për këtë çështje të ndjeshme për ta. Edhe Haki Kasumi, nga Organizata e të Zhdukurve të Kosovës, thotë se Qeveria nuk ka punuar aq sa duhet në këtë plan. E nga ana tjetër zyrtarë të Qeverisë shprehen ndryshe.
Prenk Gjetaj, gjatë takimit me familjarë të Komunave Pejë dhe të Klinës në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rasteve.  Por Gjeta ka theksuar se gjatë punës  po hasin në vështirësi të shumta. Rreth 1800 persona nga Kosova ende konsiderohen të zhdukur, ndërsa 112 janë vetëm nga  Komuna e Pejës.
Rreth 15 mijë njerëz rezultojnë ende të zhdukur pas konflikteve në ish-Jugosllavi, përfshirë Kroacinë (1991-1995), Bosnjë Hercegovinë (1992-1995) dhe Kosovën (1998-1999), raporton AFP, duke u thirrur në të dhënat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Numri i saktë i njerëzve të humbur në këtë rajon është 14.650. Vetëm në Kosovë rezultojnë ende të zhdukur rreth 1800 persona.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se 15 vjet, familjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor ende shpresojnë të mësojnë më shumë për fatin e tyre, në mos t’i gjejnë të gjallë. Zhdukja e këtyre e 15 mijë njerëzve ka prekur rreth 200 000 njerëz, përfshirë familjarë, të afërm e miq, raporton Kryqi i Kuq, një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, 30 gushtit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›