E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator Raporti i Progresit tregon ku ka mbërri Kosova

Prishtinë, 28 gusht – Dikastereve qeveritare u është dhënë afat deri më 20 shtator të raportojnë për shkallën e implementimit të rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit të 2009-s.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, nëpërmjet një shkrese ka njoftuar ministritë në fund të korrikut për këtë afat, duke ua bërë të qartë se çfarë duhet përmbushur secili. Po kështu, ai u ka sqaruar se duhet raportuar vetëm aktivitetet që janë implementuar plotësisht, meqë në Raport nuk merren parasysh ato që janë në proces.
Bazuar në atë që ka parë deri tash, ministri Beqaj ka shprehur besimin se raporti i 2010-s do të jetë më pozitiv sesa ai paraprak.
“Unë mund t’ju them se, në bazë të asaj që kemi deri tash, një numër i madh i atyre sugjerimeve janë trajtuar. Duhet të kuptojmë se reformat kalojnë nëpër procese mjaft të rënda dhe afatgjate. Ne do të presim deri në shtator dhe në fund të këtij muaji do të kemi mundësinë për të dhënë ato imputet tona të fundit në Raportin e Progresit dhe jam i bindur se një numër mjaft i madh i tyre do të vlerësohen komplet pozitivisht, sepse do të përfundohen”, ka deklaruar të shtunën për gazetën ministri Beqaj. “Gjithmonë duke u krahasuar me vitin e kaluar, unë pres që do të kemi raport shumë më pozitiv”.
Raportet e Progresit nxirren nga Komisioni Evropian për secilin vend të Ballkanit Perëndimor të inkuadruar në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Zakonisht këto raporte Komisioni i publikon në vjeshtë të çdo viti dhe tregon përparimet e këtyre vendeve drejt Bashkimit Evropian.
Me qëllim që Kosova të mos mbetet prapa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për arsye të statusit të pazgjidhur të atëhershëm, Komisioni Evropian prej vitesh kishte dizajnuar enkas për Kosovën procesin e quajtur  “Mekanizmi Përcjellës i Stabilizim Associimit”. Përmes këtij mekanizmi Kosova është pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e këtij procesi integrues si dhe shfrytëzon të njëjtat forma dhe instrumente, që janë paraparë në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit, si: masat tregtare, asistenca financiare, bashkëpunimi rajonal, partneriteti evropian, raportet e progresit etj.
Raporti i Progresit për Kosovën i 2009-s ka paraqitur shumë aspekte negative, ngecje dhe keqësim të punës në disa institucione të Kosovës. Në të Qeveria kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyç në shërbimet civile, si emërimi i njerëzve në postet e larta civile nëpër ministri, në bordet e ndërmarrjeve publike dhe në zyrën e Avokatit të Popullit. Kjo ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të Kosovës që të menaxhojnë procesin e emërimeve në mënyrë korrekte dhe transparente, thuhet në raport.
Po kështu, theksohet se korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha në Kosovë dhe vazhdon të jetë çështje serioze shqetësuese. Midis tjerash, në raport theksohet se krimi i organizuar, sidomos ai në veri, është identifikuar si problem serioz.
Prej gati një viti, kur është publikuar raporti, të gjitha autoritetet ndërkombëtare që kanë vizituar Kosovën, kanë dhënë mesazhe të qarta për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. I fundit është ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili të premten ka qëndruar në Prishtinë. Ai  ka rikujtuar se në Raportin e Progresit të vitit 2009 janë evidencuar mangësi në shumë fusha, kështu që, sipas tij, ato duhet përmirësuar nëse dëshirohet më të vërtetë perspektiva evropiane.
“Gjermania e sheh perspektivën evropiane edhe për Kosovën si edhe për gjithë rajonin. Gjermania do ta mbështesë Kosovën në këtë perspektivë evropiane, mirëpo parakusht për këtë është progresi i arritur para së gjithash, në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe angazhimin për një shtet ligjor”, ka deklaruar Westerwelle.
Këtë vit janë vërejtur përpjekje për ta adresuar çështjen e luftimit të korrupsionit. Qeveria ka themeluar një Task-forcë në Prokurorinë Speciale, që do të merret ekskluzivisht me rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ndërkaq, misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, po zhvillon hetime për korrupsion ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve qeveritarë.
Megjithëkëtë, në opozitë mendojnë se pikërisht në këtë pikë Kosova ka shënuar regres.
“Sa u përket rekomandimeve në aspektin e korrupsionit, nuk besoj se ka pasur ndonjë progres. Përkundrazi. Ka përkeqësim të situatës së korrupsionit. Ka filluar një kampanjë kryesisht e luftës kundër korrupsionit. Targetohen kryesisht njerëzit që nuk kanë asnjë mbështetje politike brendapërbrenda subjekteve politike të koalicionit qeveritar PDK-LDK.”, ka thënë Avni Arifi, këshilltar kryesor i liderit të opozitës, Ramush Haradinaj. “Kemi parë eliminime të njerëzve në pozicione, e që nuk janë të afërt me klubin qeverisës. Pra, i vetmi shans i luftës kundër korrupsionit është iniciativa e EULEX-it”.
Arifi ka theksuar se në disa sfera është vërejtur progres. Megjithëkëtë ka shprehur bindjen se raporti nuk do të jetë pozitiv.
“Vlerësim pozitiv do të kisha mundur ta quaja aspektin e legjislacionit. Mund të them se në këtë aspekt të gjitha ligjet që janë kërkuar, ose ka nisur implementimi i tyre ose janë implementuar. Pastaj, procesi zgjedhor do të vlerësohet pozitiv, sepse këto janë vlerësime të të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, e po ashtu edhe procesi i decentralizimit ka shkuar mirë”, ka thënë Arifi. “Raporti i Progresit nuk do të jetë pozitiv për Kosovën. Ndërsa, një raport negativ si i 2009-s do të ishte fund i mandatit edhe për këtë qeveri, por edhe për misionet ndërkombëtare që janë në Kosovë do të ishte një dështim total”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, ministri Besim Beqaj ka thënë të ketë pritje të tjera. Ai ka shprehur besimin se shumë nga kërkesat që dalin nga raporti i 2009-s janë përmbushur.
“Mund të them se ka lëvizje pozitive të fuqishme. Flasim për legjislacionin. Pothuajse deri në fund të shtatorit një pjesë e madhe e ligjeve do të kryhen në Parlament. Pastaj flasim për forma tjera të krijimit të mekanizmave koordinues, që është vetë ministria në komunikim dhe bashkëpunim me institucionet lokale dhe ato qendrore. Ka përparim shumë të madh në fushën e asaj që quhet përgjegjësi institucionale dhe ngritjen e legjislacionit për luftimin krimit të organizuar dhe korrupsionit. Normalisht edhe bashkësia ndërkombëtare edhe të gjithë presin që të mos ketë vetëm legjislacion, por të ketë edhe veprime”, ka vlerësuar Beqaj. “Unë jam i inkurajuar që veprimet e fundit politike në drejtim të krijimit të bazës ligjore për luftimin e krimit të organizuar dhe fuqizimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë, do të jenë vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›