Sejdiu takoi komandantin e ri të KFOR-it
Gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve, trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë bërë një punë të madhe në Kosovë, tha sot presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, gjatë takimit njohës që kishte me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin gjerman Erhard Buhler.
"Pjesëtarët e KFOR-it kanë qenë përherë shembull i shërbimit profesional dhe i disiplinës, ndaj ata kanë gëzuar gjithë respektin e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës", tha presidenti.
Ai tha se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës kanë vetëm një vizion - anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB-në.
Sa i përket çështjes së reduktimit të trupave të KFOR-it, presidenti Sejdiu ripërsëriti se ky proces duhet të bëhet në pajtim me situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, si dhe me ngritjen e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.