Banka Botërore rrit ndihmën për Pakistanin
Banka Botërore ka njoftuar se do të rrisë mbështetjen për Pakistanin, në mënyrë që Islamabadi të mund të përballojë situatën e krijuar pas përmbytjeve, më të rëndat në historinë e këtij vendi.
Banka Botërore do të japë edhe 100 mililonë dollarë, duke e çuar ndihmën në 1 miliardë dollarë. Ky fond do të përdoret "për rimëkëmbjen financiare dhe rindërtimin në afat të gjatë". Fondi në fjalë i është dhënë Pakistanit pa interes financiar.
Ndërkaq në zhvillime të tjera nga Pakistani, burime zyrtare saktësojnë se është rritur numri i viktimave që humbën jetën si pasojë e shpërthimeve të fuqishme në Lahore.
Ka shkuar në 25 të vrarë e 150 të plagosur numri i viktimave nga shpërthimi i tre bombave gjatë një marshimi fetar shiit në qytetin e Lahores në Pakistan.
Pas shpërthimeve besimtarët e revoltuar i vunë zjarrin një stacioni policie si dhe dy makinave e tre motorçikletave të policisë. Incidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së mërkurës. Kryeministri pakistanez dënoi sulmet dhe theksoi se sulmuesit nuk do t'i shpëtojnë drejtësisë.