E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i BSPK-së kërcënon Qeverinë me trazira

Qeveria e Kosovës ka marrë akuza të ashpra për ngecje në përmbushjen e shumë sfidave dhe për korrupsion të shtuar, gjatë debatit të Komisionit parlamentar për integrime evropiane me përfaqësues të shoqërisë civile, me çrast nuk munguan edhe kërcënimet nga ana e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës për mundësinë e trazirave që mund të shpërthejnë nga ana e 75 mijë punëtorëve të mbetur rrugëve.

Në një debat të mërkurën për raportin e progresit të Komisionit Evropian, përveç çështjeve që ndërlidhen kritikat që paraqiten në këtë raport, u ngritën edhe shumë çështje, sikur që ishte çështja e punëtorëve, të cilët kanë pësuar nga procesi i privatizimit, e që sipas kreut të BSPK-së Haxhi Arifi, janë rreth 75 mijë, të cilët kanë mbetur rrugëve dhe për të cilët Qeveria e Kosovës nuk e ka një program social.

Arifi ka thënë se punëtorët dhe BSPK-ja injorohen vazhdimisht nga drejtuesit e institucioneve, ndërsa paralajmëroi se BSPK-ja do ta ndryshojë strategjinë dhe nuk do të vazhdojë të luajë rolin e faktorit të stabilitetit sikur deri tani.

Do ta ndërrojmë strategjinë e veprimit. Një ditë do të na dalin ndoshta edhe nga kujdesi që e kemi pas nën ombrellë gjithë punëtorinë kosovare. Do të shpërthejë. Mund të ketë edhe trazira. Ne nuk do ta marrim më përgjegjësinë, le ta marrin ata që nuk po interesohen dhe që po e injorojnë këtë strukturë të punëtorisë kosovare. Në shekullin 21, duke e përcjellë gjendjen edhe në media, ne nuk e kemi infrastrukturën ligjore, nuk e kemi një ligj bazik, siç është Ligji i punës dhe ligjet tjera përcjellëse, ka thënë Arifi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›