E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu u bën thirrje serbëve të kthehen në Kosovë

Deklaratat e Sejdiut u bënë gjatë takimit që pati sot në Prishtinë me Walter Kalin, Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut dhe Personave të Zhvendosur. “Të gjitha qytetarët e vendit tonë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, mund të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë dhe pronat e tyre”, tha Presidenti Sejdiu, Por, vijoi ai, ata njerëz që kanë kryer krime gjatë kohës së luftës në Kosovë duhet të japin llogari para ligjit.

Sejdiu u bëri ftesë qytetarëve serbë të Kosovës, si dhe të gjithë të zhvendosurve të tjerë, që të kthehen dhe të japin ndihmesën e tyre të drejtpërdrejtë për zhvillimin e vendit të tyre.“Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm për t’u integruar në strukturat euroatlantike, si dhe për t’i përmbushur zotimet e dhëna gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës, të udhëhequr nga Presidenti Ahtisari”, theksoi Presidenti, i cili edhe në herë theksoi se pengesë kryesore për integrimin e bashkësisë etnike serbe në jetën institucionale të vendit mbetet Beogradi zyrtar, i cili jo vetëm që po i mban gjallë strukturat paralele në veriun e Kosovës, por, tash së fundi, edhe po u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i bojkotojnë proceset e përgjithshme demokratike në vend, siç janë zgjedhjet e sivjetshme lokale”, tha më tej.

Presidenti Sejdiu, po ashtu, theksoi angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e shtëpive dhe krijimin e kushteve sa më të mira për jetë për të gjithë ata që kanë shfaqur gatishmërinë të kthehen në Kosovë, duke theksuar se kjo qasje është politikë shtetërore e Kosovës. Ndërkaq, z. Kalin, duke shprehur vlerësimin e tij për hapat inkurajues që po bëjnë institucionet e Kosovës për kthimin e të zhvendosurve, kërkoi që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të punojnë në këtë proces.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›