Sejdiu uron Rasmussenin, falënderon Schefferin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram urimi kryeministrit të Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, i cili është zgjedhur sekretar i ri i përgjithshëm i NATO-s, si dhe një telegram falënderimi sekretarit të deritanishëm, Jaap de Hoop Scheffer.
Në urimin e presidentit Sejdiu për Rasmussenin, ndër të tjera, thuhet: "Me rastin e zgjedhjes suaj Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së, dua t'ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës.
Sejdiu po ashtu ka kujtuar me kënaqësi të veçantë, takimin me Rasmussenit, në shtatorin e vitit që shkoi, dhe zotimin e tij të palëkundur se do t'i qëndrojë afër institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e synimeve të tyre euroatlantike.
"Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vendosur për të ndërtuar një forcë të veten moderne të mbrojtjes, e cila do të jetë një ditë kontribuuese direkte në operacionet paqeruajtëse të NATO-s kudo në botë, për të mirën e paqes dhe të sigurisë së kombeve", thuhet më tej në urim.
"Duke qenë thellësisht të bindur për përkushtimin Tuaj personal dhe të gjithë Aleancës Veriatlantike për të ndihmuar vendin tonë në udhën e mëtejshme të integrimit, urojmë që të keni shëndet, fat dhe suksese", thekson në urimin e tij presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, në falënderimin për sekretarin e deritanishëm, Jaap de Hoop Scheffer, Sejdiu ka vlerësuar sukseset e shumta të NATO-s gjatë udhëheqjes së tij, që kulmoi këto ditë me anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në këtë aleancë, si një akt shumë domethënës për sigurinë e kësaj pjese të Evropës Juglindore.