E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu:Zgjedhjet duhet të mbahen ne 2011-ën

Parlamenti i Kosovës ka debatuar të premten vendimin e presidentit Sejdiu që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në vitin 2011. Debati është mbajtur me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, e cila kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme këtë vit. Gjatë debatit, deputetët e opozitës akuzuan presidentin e Kosovës se me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën e vendit.Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së Ardian Gjini deklaroi se presidenti e ka marrë këtë vendim pa u konsultuar me spektrin politik, në veçanti me opozitën, por sipas dëshirës së tij. Përfaqësuesit e partive opozitare kërkuan nga udhëheqësit e institucioneve që të respektojnë pakon e Martt Ahtisarit mbi bazën e së cilës është shpallur pavarësia dhe që parashikon mbajtjen e zgjedhjeve 9 muaj pas zgjidhjes së statusit. Nga ana tjetër, mazhoranca e ka vlerësuar të panevojshëm debatin për zgjedhjet, duke thënë se vendimi për to, është çështje e mbyllur. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi u shpreh se mbajtja e zgjedhjeve këtë vit do të ishte humbje kohe, kur kërkohen njohje të reja për shtetin e Kosovës. Vendimi i presidentit Fatmir Sejdiu që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen deri pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Parlamentit dhe qeverisë, është mbështetur nga Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili bën mbikqyrjen e marrëveshjes për pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›