Papa,kërkon falje për mohimin e Holokaustit nga Peshkopi
Papa Benedikti XVI ka kërkuar falje publike për sjelljen e Peshkopit Riçard Uilliamson, i cili në deklaratat e tij mohon shifrat e numrit të hebrenjve të vrarë nga Holokausti. Papa ka kërkuar falje për atë që e ka quajtur krim kundër Zotit dhe njerëzimit dhe që i ka shkaktuar dhimbje të mëdha popullit hebre. Për Atin e Shenjtë, të mohosh apo të minimizosh holokaustin është e papranueshme dhe e patolerueshme. Benedikti XVI ka lajmëruar se po përgatitet për një vizitë në Izrael. "Holokausti ka qënë një krim kundër Zotit e njerëzimit, dhe është e papranueshme dhe e patolerueshme që njerëzit e kishës ta mohojnë apo ta minimizojnë atë", është shprehur Papa Racinger gjatë takimit të parë më komunitetin hebre, pas krizës së shkaktuar nga Peshkopi Uilliamson. "Kisha katolike është thellësisht e impenjuar në refuzimin e cdo deklaratë anti-semite. Dy mijë vjetët e historisë së marrëdhënieve mes judaizmit dhe kishës katolike kanë kaluar faza të ndryshme, disa nga këtko kanë qënë edhe të dhimbshme për t'u kujtuar. Tani që jemi në gjendje të takohemi me frymën e pajtimit, nuk duhet të lejojmë vështirësitë e së shkuarës që të na pengojnë miqësinë", ka theksuar Ati i Shenjtë. Ndërsa përfaqësuesit e komunitetit hebre, i kanë thënë Papës se marrëdhëniet e tensionuara të ditëve të fundit mund të kalohen dhe mund të ndikojnë që në të ardhmen të punohet më shumë në sfidat e qytetërimit aktual, sic është antisemitizmi.