Sejfulla Maleshova, poeti dhe qytetari
Fieri, ku Maleshova jetoi në internim dhe vdiq i izoluar, e kujton në 110-vjetorin e lindjes. Të dielën, sheshi në hyrje të qytetit merr emrin e tij dhe përurohet një bust. Studiuesi Nasho Jorgaqi prezanton antologjinë e shqipërimeve të Maleshovës dhe kujton pak takimet me të në redaksinë e "Naim Frashërit" në vitet '60
"U step i trembur shpirti im at'herë.../ Po, sado paçin shkaqet pesh' e vlerë, / sado të them si ndodhi dhe përse, / të vërtetën e hidhur nuk e fsheh / edhe përunjem, përunjem mëkatar / përpara fjalës s'larë: qytetar."
Vargjet në poemën "Poeti dhe qytetari" të Nikolla Nekrasov, janë të poetit. Sejfulla Maleshova i përktheu në internim. Nekrasov ishte poeti i tij i preferuar, ndërsa poema në fjalë ishte shprehje analoge e jetës së Maleshovës. Ato panë dritën e botimit pas viteve nëntëdhjetë.
Studiuesi Nasho Jorgaqi i ka futur në "Antologji shqipërimesh poetike" e botuar me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Sejfulla Maleshovës (2 mars 1900 - 9 qershor 1971). Maleshova udhëtonte çdo 2-3 muaj nga Fieri në Tiranë për të sjellë përkthimet në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri". Në vitet '60 Jorgaqi ishte shef i redaksisë së letërsisë së huaj.
Ai bashkëpunoi me Maleshovën për dy vjet, sepse këtij teoricieni dhe importuesi të mendimit marksist dhe komunist, ndër të parët në vend, iu pre dhe kjo fije për punë intelektuale.
Studiuesi Jorgaqi tregon takimin me Maleshovën, vendin që ai zë në poezinë shqipe ndërmjet dy luftërave dhe shqipërimet e tij, si dishepull i shkollën noliane të përkthimit.
Fieri, ku Maleshova jetoi internimin dhe vdiq i izoluar, e kujton në 110-vjetorin e lindjes. Të dielën, sheshi në hyrje të qytetit merr emrin e tij dhe përurohet një bust i tij.
Çfarë historie ka ky libër me shqipërimet e Maleshovës?
Këto kohët e fundit jam marrë me Sejfulla Maleshovën dhe kam shkruar kujtimet e mia rreth 50 faqe, në kuadrin e një libri që po bëj, kujtime për sivëllezërit e mi shkrimtarë. Duke qenë shef i redaksisë së letërsisë së huaj në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", duke qenë se ai punonte si përkthyes i jashtëm për një kohë, pata mundësi ta njoh dhe të bisedoj.
Maleshova është një zë i fuqishëm i letërsisë shqiptare midisi dy luftërave, zëri i asaj letërsie që njihej si letërsi e angazhuar, poet i lëvizjes antifashiste dhe antizogiste; një figurë e lëvizjes revolucionare e mërgimit politik të viteve '20-'40; sekretar i kryeministrisë në kohën kur Noli ishte kryetar i qeverisë.
Në dhjetorin e '24-ës iku dhe bëri jetën e emigrantit politik në Itali, Austri, në Bashkimin Sovjetik dhe në Francë dhe u kthye më 1943. Qe nga udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i udhëheqjes së Partisë Komuniste.
Pas çlirimit qe ministër i Kulturës, Propagandës dhe Shtypit; themelues dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1945 botoi të parën dhe të fundit vepër me poezi me titullin "Vjersha". Ishte përfaqësuesi më eminent i letërsisë së re që po lindte në Shqipëri.
Letërsi e re?
Letërsi që kishte lindur me Luftën Nacional-Çlirimtare por që fillimet i kishte që në brezin e viteve 30. Maleshova shkroi jashtë dhe botoi në organet antizogiste si "Liria kombëtare" apo dhe në Gazetën Dielli. Poezia e tij hyri ilegalisht në Shqipëri dhe u përhap në rrethet e rinisë.
Është një periudhë e stuhishme edhe për intelektualin evropian. Maleshova i kishte rënë botës qark deri në vitet '40.
Mendoni se reflekton poezia e tij lëvizjet e mëdha, vendet ku shkoi dhe njerëzit që u influencua?
Poezia e tij është poezi e angazhuar me temë politike, revolucionare, i drejtohej fshatarësisë shqiptare në radhë të parë, bënte thirrje për kryengritje për revolucion, për të rrëzuar regjimin e Zogut, për një Shqipëri të shkëputur nga kolonializmi italian.
Një nga poezitë që u bë e njohur pikërisht për këtë është "Si e dua Shqipërinë" dhe bashkë me poezitë e tjera që ishin zëri i aspiratave të vegjëlisë shqiptare, sepse edhe vetë Maleshova ishte me origjinë fshatare, gjithë këto e bënë të dashur.
Megjithëse grupi shoqëror që ai i drejtohet ishte analfabet...
Dihet që në Shqipëri ekzistonin rrethe revolucionare të majta.
Maleshova ishte nga udhëheqësit e emigracionit politik të majtë që siç dihet kishte udhëheqës shpirtëror Fan Nolin. Në programin e kësaj lëvizjeje mjeti kryesor ishte propaganda. Propaganda në rastin e Maleshovës që kishte pseudonimin Lame Kodra, nëpërmjet letërsisë do të realizohej. Veç poezive dhe përkthimeve ai shkroi publicistikë.
Po ta shohim krijimtarinë e tij jashtë kontekstit të kohës, jashtë këtij misioni të propagandës, çfarë mbetet? Nuk ka ndonjë konfirmim të kësaj figure në njëzet vjetshin e fundit.
Faji për këtë nuk është i tiji. Fakt është që ai ka shkruar gjithsej 21 poezi që janë botuar. Ka qenë kërkues, kishte një praktikë krijuese të ngadalë, pa ndonjë babëzitje. Ai ndoqi praktikën e Nolit i cili shkroi një album poezish me rreth 18 poezi, që i shkruante në raste dhe rrethana të caktuara. Kështu ndodhte pak a shumë edhe me Sejfulla Maleshovën.
Mund të flisni për ndikim?
Padyshim që mund të flasim për një ndikim të poezisë së Nolit te poezia e Lame Kodrës. Kjo ndihet më tej edhe te përkthimi, te shkolla e përkthimit që krijoi Noli dhe që Kodra është dishepulli kryesor si përkthyes i poezisë.
Periudha e përkthimit si qëndron?
Nga të dhënat që kam gjetur unë, rezulton që vepra e tij e parë që njohim është një poemë e botuar në italisht me titullin "Kostandini" botuar në Romë më 1923. Kështu nis krijimtaria letrare e Sejfulla Maleshovës.
Ai kish mbaruar kolegjin në Shën Dhimitër Korona themeluar nga De Rada, dhe vazhdoi studimet për tre vjet për mjekësi. Student, bashkë me Odise Paskalin botoi revistën "Studenti shqiptar" dhe këtu botohen poezitë dhe përkthimet e para të Maleshovës. Më 1924, kur ndodhi Revolucioni i Qershorit, ai braktisi studimet.
Poemën e parë e ka shkruar italisht?
Poema rezulton italisht, shqip nuk e kemi. Ka mundësi ta ketë shkruar drejtpërdrejt italisht, nuk jam në gjendje ta them. Në periudhën e emigracionit politik përktheu disa vjersha.
Shijet e tij për përkthimin, siç tregon kjo antologji, duket se janë kryesisht nga vendet vatra të komunizmit?
Po, ai përktheu një vjershë të njohur revolucionare të Hajnes, "Punëtorët e avlëmëndit" të Hajnes, një nga vjershat e pakta të preferuara të Marksit. Ai përktheu "Internacionalen" e Eugjen Potjes, hymni i lëvizjes komuniste ndërkombëtare që është përkthyer shumë mirë. Kemi dy variante të "Internacioanles" një të Maleshovës që është i pari dhe një tjetër të Petro Markos.
Përktheu vjershën e famshme të Gëtes "Mbreti i Tulës" që e kish përkthyer më parë edhe Ndre Mjeda. Shqipërimi i Maleshovës është më i goditur, më i qartë, më harmonik se sa i Mjedës.
Përkthimi për qëllime politike, revolucionare. Çfarë do veçohej nga përkthime për qëllime estetike, për shembull nga Omar Hajami...
Më 1946 Maleshova pësoi goditjen politike, u largua udhëheqja. Më 1955 u hoq nga Tirana dhe u dërgua me punë të rëndomta magazinier në Ballsh dhe në Fier. Kjo është periudha e heshtjes.
Ju u takuat kur?
Isha një nga lexuesit entuziastë të tij. Kishte një poezi shumë ritmike, me një thjeshtësi sugjestive. E shikoja në Fier në vendlindjen time, gjithmonë në distancë, interesohesha të merrja vesh ç'bënte. Ishte një njeri sportiv, veshur me qillota, kapele republikë ose me shapkë dhe me biçikletë lëvizte.
Organizimin e vogël të punës e bënte me një korrektësi të admirueshme që i habiste të gjithë. Gjëja e parë që kërkoi në atë farë këndi të zyrës së magazinierit, ishte një portret i Enver Hoxhës. Kur e pyetën, "po kjo ç'ishte shoku Sejfulla?", ai tha "e kemi udhëheqës të shtetit, ne nderojmë shtetin".
Legjendë apo jo?
Është e vërtetë. Pavarësisht se ai përndiqej, fakti që nuk e futën në burg ishte se ai izoloi veten, ishte tip vetmitar. Në pamundësi për të botuar krijimtari origjinale ai vendosi të merrej me përkthime në harkun kohor 20-vjeçar.
Qe një rrethanë fatlume për të dhe për ne që u lidh me shtëpinë botuese "Naim Frashëri". Në vitin '55 e gjeta bashkëpunëtor në shtëpinë botuese. Vinte çdo 2-3 muaj të sillte përkthimet. Ishte tepër i kursyer në fjalë.
Kjo praktikë vazhdoi nja dy vjet. Lexoja menjëherë ato që më sillte. Ai përkthente kryesisht një poet, rusin Nikolla Nekrasovin. Prej tij përktheu "Poeti dhe qytetari" të cilën kur e mora në dorë në vitin 1955 dukej ta kishte përkthyer si për veten: poeti që nuk flet dot dhe qytetari që nuk mundet të bëjë gjë.
Së fundi, në Arkivin Qendror të Shtetit hynë nga arkiva e Ministrisë së Brendshme disa materiale të Maleshovës. Kur të gjithë kishin humbur shpresat se ai nuk paskesh shkruar gjë, u gjetën 2 poezi pa datë, që mund të jenë shkruar në vitet '50-'60, janë dy poezi satirike ku duken aluzione të qarta dhe të fuqishme për regjimin e kohës. Aty ndodhet pikërisht fryma e "Poetit dhe qytetarit" të Nekrasovit.