E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejko: Ritme solide të rritjes ekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko informoi sot se ekonomia shqiptare vijoi të rritet me ritme solide gjatë gjysmës së parë të vitit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3,6% në tremujorin e dytë, një ritëm ky i ngjashëm, ndonëse disi më i ulët se ai i tremujorit paraardhës. Rritja e aktivitetit ekonomik u mbështet kryesisht nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve, ndërkohë që eksportet neto shënuan një kontribut margjinal pozitiv dhe politika fiskale vijoi të ruajë natyrën e saj konsoliduese.

Sejko tha se në aspektin sektorial, rritja ekonomike vijoi të bazohet në zgjerimin e aktivitetit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërsa sektori industrial dhe ai bujqësor vijuan të tkurren.

“Të dhënat e disponuara sugjerojnë një ecuri të ngjashme ekonomike edhe në tremujorin e tretë”, tha Sejko.

Sipas Guvernatorit të BSH-së, rritja ekonomike vijoi të mbështetej veçanërisht nga ndërtimi dhe shërbimet, ndërsa industria dhe bujqësia vijuan të shënojnë tkurrje. Treguesit e disponueshëm, sipas Bankës së Shqipërisë, sugjerojnë një ecuri të ngjashme edhe gjatë tremujorit të tretë.

Përmirësimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar edhe me zhvillime pozitive në tregun e punës. Në tremujorin e dytë, norma e papunësisë zbriti në 8,3%, pranë minimumit historik, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2,3%, ndërsa paga mesatare shënoi rritje vjetore prej 11,5%.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›