Sejko: Të vendoset vlerë tavan për PPP-të dhe strukturë për vlerësimin e projekteve!

Vendosja e një tavani ligjor afatgjatë për vlerën e përgjithshme të kontratatave koncensionare ishte një ndër sugjerimet kryesore që ndau Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Ky rregullim sipas guvernatorit duhet të shoqërohet edhe me ngritjen e një strukture vlerësuese për projektet.“Banka e Shqipërisë sugjeron:përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike; integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit;përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.”- tha Sejko.
Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë inkurajon ruajtjen e hapësirave për investime në strukturën e buxhetit të vendit.“Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon investime publike në nivelin 6.4% të PBB-së. Ky nivel vjen në rënie të lehtë krahasuar me vitin paraardhës, por ai mbetet gjithsesi mjaftueshmërisht i lartë.Këto investime janë të nevojshme për përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës së vendit, në interes të përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomike në afatin e mesëm dhe të gjatë, si dhe në interes të rritjes së mirëqenies së shoqërisë. Në këtë prizëm, Banka e Shqipërisë: vlerëson se disiplinimi i shpenzimeve korrente dhe rritja e qëndrueshme e bazës së të ardhurave publike do të krijojnë premisa për ruajtjen e hapësirave për investime publike, edhe në prani të konsolidimit fiskal; gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë.”- tha Sejko.
Në vlerësimet për buxhetin 2022, Banka e Shqipërisë sugjeron nevojën për vëmendje të vazhduar nga autoritetet fiskale ndaj ecurisë së të ardhurave, për të identifikuar në kohë diferencat midis faktit dhe planit, si dhe për të marrë masat e nevojshme për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit public.