Ibrahimaj: “Bashkëqeverisja” kursen kohë dhe kosto për marrjen e shërbimeve

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se projektligji “Për bashkëqeverisjen” rrit eficiencën e shërbimeve të ofruara nga institucionet publike si dhe u kursen qytetarëve kohë dhe kosto për marrjen e këtyre shërbimeve.
“Objektivi ynë kryesor ka qenë rritja e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike dhe e përgjegjshmërisë së nëpunësve publikë ndaj qytetarëve dhe të gjithë subjekteve të së drejtës. Bashkëqeverisja në këto 4 vite ka bërë të mundur që ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të adresohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivel institucioni qendror. Ky mekanizëm i krijuar ka mundësuar që e drejta për një trajtim apo përgjigje të mos mohohej nga strukturat zbatuese apo zyrat kompetente”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se platforma i ka dhënë mundësi rreth 16287 qytetarëve dhe rreth 1400 bizneseve të ngrenë shqetësimet dhe problematikat e hasura gjatë marrjes së shërbimeve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të varësisë.
Ministrja informoi më tej se nga viti 2020, dikasteri që ajo drejton ka nisur 2 procese të rëndësishme, ndjekjen e posaçme të problematikave të bizneseve përmes koordinatorit të biznesit në bashkëqeverisje dhe zbatimin e procesit të ri për aplikimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet e-albania.
MFE nëpërmjet 11 institucioneve të varësisë ofron online 474 shërbime.