Ministri i Jashtëm shprehet se Tirana zyrtare është largpamëse

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, iu përgjigj dje skeptikëve për intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke deklaruar se janë folklorike, ndërsa që synimi kryesor i Shqipërisë mbetet njohja e Kosovës, por edhe bashkëpunimi rajonal.
Në një komunikim me gazetarët, kreu i Ministrisë së Jashtme foli për përpjekjet që po bën qeveria për të lehtësuar e përmirësuar marrëdhëniet me autoritetet serbe siç është rasti i njohjes së diplomave të universiteteve shqiptare në zonën e Preshevës, por aq sa po punohet për një vizitë të Presidentit Tadiç në Shqipëri. Ndër të tjera, Meta foli edhe për situatën politike në vend, duke deklaruar se qeveria është e hapur për dialog gjithmonë përballë kërkesave legjitime. “Përpjekja për të keqkuptuar një politikë kaq largpamëse dhe kurajoze, është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat folklorik dhe ju e dini që nuk më pëlqejnë folklorizmat, aq më tepër në politikë. Ndaj jemi të vendosur për të ecur përpara në rrugën e integrimeve, jemi të vendosur të vazhdojmë politikën tonë për mbështetjen e mëtejshme dhe të plotë të pavarësisë së Kosovës, sikurse ka ndodhur deri tani dhe ndodh vazhdimisht. Në të gjithë takimet me krerët më të lartë të shtetit dhe të qeverisë, çështja e Kosovës dhe njohja e saj e mëtejshme, është prioritet kryesor dhe i padiskutueshëm”, deklaroi Meta ndërsa vuri në dukje përmirësimin e marrëdhënieve dhe stabilitetit në rajon.
“Ne jemi të vendosur të ecim drejt politikës së bashkëpunimit, tha ai, me të gjitha vendet e rajonit tonë, sepse këtë politikë e kërkon vetë domosdoshmëria për shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe të vendeve të tjera të rajonit. Këto janë procese të ndërvarura, dhe kush nuk dëshiron të kuptojë ndërvarësinë e këtyre proceseve thjesht kërkon të na ftojë të hyjmë në debate folklorike”.
Meta nënvizoi se prioritet i Ministrisë së Jashtme e qeverisë është edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje me qeverinë e Serbisë, për njohjen reciproke të diplomave, gjë që do t’u mundësonte disa qindra të rinjve nga Presheva që kanë studiuar apo që vazhdojnë të studiojnë në Shqipëri, që të kenë mundësinë për t’u punësuar dhe për të kontribuar në administratën vendore apo qendrore në Preshevë. I pyetur mbi qëndrimin e Tiranës zyrtare në lidhje me Serbinë, ministri Meta vuri në dukje se çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i qeverisë shqiptare, derisa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB. “Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Serbinë, nuk shtrohet çështja se Shqipëria kërkon të vendosë një prioritet të jashtëzakonshëm në këto raporte, por duhet të kemi parasysh se politika e Shqipërisë, është politika e bashkëpunimit rajonal, është politika e integrimit rajonal si parakusht për integrimin europian”, tha ai. I pyetur mbi ofertën që mazhoranca i bën opozitës si kusht për të hyrë në Parlament, Meta vuri në dukje vullnetin për të pranuar çdo kërkesë legjitime.
“Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që qeveria dhe mazhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë”, tha ai.