Yjet e Milanit flasin për shqiptarët
Trajneri dhe tre nga futbollistët e Milanit kanë dashur të përshëndetin dje fillimin e "Milan Junior Camp" në Tiranë. Nëpërmjet pamjeve filmike në sallë janë përçuar përshëndetjet e trajnerit Karlo Ançeloti, mesfushorëve Masimo Ambrozini dhe Klarensf Sedorf. I fundit në listën e përshëndetjeve ka qenë sulmuesi Filipi Inzagi, i cili ka dërguar urimet më të mira për fëmijët shqiptarë. "Përshëndetje të gjithë fëmijëve fantastikë të Tiranës dhe Shqipërisë. Bëhuni të mbarë dhe argëtohuni sa më shumë në këtë aktivitet. Urimet më të përzemërta dhe ju presim me padurim në qendrën tonë e në stadiumin ‘San Siro‘", ishin fjalët e sulmuesit. Ndërkohë, të deleguarit e klubit kuqezi kanë bërë të qartë se ky projekt kishte urimet më të përzemërta edhe nga presidenti Silvio Berluskoni dhe administratori i përgjithshëm i kuqezinjve, Adriano Galiani.