E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të hiqet dorë nga politika e bojkotit

05/09/2011  Kreu i shtetit u bën apel partive politike për bashkëpunim dhe respektim të institucioneve

“Palët të mos aplikojnë praktika izoluese për pakicën, të krijojnë klimë besimi”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një ditë para çeljes së sesionit të ri parlamentar u bëri apel të gjitha forcave politike të punojnë me përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit të integrimit të vendit në BE. Ai i kërkoi çdo deputeti të rifitojnë besimin e lëkundur të qytetarëve te politika dhe institucionet e saj, forcat politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, çka mungon prej dy vjetësh.

Apeli

Kreu i shtetit në mënyrë specifike i kërkon mazhorancës të mos injorojë kërkesat dhe mendimet e opozitës, ndërsa kësaj të fundit që të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet kushtetuese për t’u kthyer në Kuvend. “U bëj apel partive parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e Kuvendit, për qytetarët dhe për vendin. Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos e kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Kuvendin në gjyq politik, të mos e përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë”, - deklaroi Topi në mesazhin e tij. Në fjalën e tij numri një i shtetit shqiptar nuk ka lënë mënjanë punën e Kuvendit si institucion, përfshirë edhe mazhorancën nga e cila ka dalë. “Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të tyre, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin e kështu përcjell vlera e jo mosbesim te qytetarët. Parlamenti ynë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zëdhënës të mirë të sovranitetit të popullit dhe tempull i demokracisë”, - vijoi Presidenti i Republikës.

Sfidat

Referuar ligjit të fundit që Kuvendi ka votuar me konsensus, Topi deklaroi se Shqipëria ka humbur plot dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa qytetarët dhe vendi në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjes kombëtare ju ftoj t’i shndërroni 12 kriteret politike të BE-së në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme”, - vijon më tej në mesazhin e tij Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›