Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen, vizitë zyrtare në Shqipëri

Tiranë, 22 prill, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen, do të vizitojë pas një jave Shqipërinë. Lajmi për mbërritjen e tij është bërë i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilave parashikohet që shefi i lartë i NATO-s gjatë qëndrimit një ditor në vendin tonë të zhvillojë takime të posaçme me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.
Kjo është hera e parë që Rasmussen vjen në Shqipëri. Vizita kryhet pas marrjes së mandatit të tij disa muaj më parë nga paraardhësi i tij, Shefer, i cili ka vizituar gjithashtu vendin tonë në kohën kur kryesonte aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.
Axhenda e parashikuar e vizitës së Rasmussen në Tiranë, përfshin mbërritjen e tij në aeroporin e Rinasit në datën 29 prill në orën 10:00, ndërkohë që fillimisht pritet të takohet me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta dhe më tej një konferencë e përbashkët për shtyp.
Më tej, parashikohet që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të takohet gjithashtu edhe me ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bamir Topi dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
n.e/NOA