Sekretari i mbrojtjes Gates viziton Afganistanin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates është në Afganistan, ku tha se Pentagoni synon të dërgojë të paktën dy brigada të tjera luftarake deri verën e ardhshme. Para mbërritjes në Kandahar, të enjten Gates u tha gazetarëve në avion se pret që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuar për një kohë të gjatë në luftën në Afganistan. Sekretari Gates shtoi se kërkon të sigurojë që forcat afgane janë në frontin e parë të betejës kundër kryengritësve dhe talebanëve. Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë gati 20 mijë trupa shtesë në Afganistan vitin e ardhshëm, për t'ju bashkuar 32 mijë trupave që janë tashmë aty, së bashku me po kaq trupa nga vendet e tjera të NATO-s.