Sekretarja Klinton nis vizitën e parë në Izrael dhe Bregun Perëndimor
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton filloi vizitën e saj të parë në Izrael dhe në Bregun Perëndimor në postin e saj të ri.
Zonja Klinton ishte mbrëmë në Jeruzalem në prag të takimeve që do të ketë sot me zyrtarët izraelitë.
Kryediplomatja amerikane pritet të takohet me Presidentin Shimon Perez, Ministren e Jashtme Cipi Livni, Ministrin e Mbrojtjes, Ehud Barak dhe me udhëheqësin e partisë së djathtë Likud, Benjamin Netanjahu.
Nesër, zonja Klinton do të vizitojë Bregun Perëndimor për takime me udhëheqësit palestinezë si pjesë e përpjekjeve për rigjallërimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.
Ajo shkoi në Izrael pas një ndalese në Sharm el-Sheik të Egjiptit, ku mori pjesë në një konferencë donatorësh në të cilën u premtuan më shumë se 5 miliard dollarë ndihma për ekonominë palestineze dhe për rindërtimin e Rripit të Gazës.
Shtetet e Bashkuara premtuan 900 milion dollarë. Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që ndihma të krijojë më tej kushtet për një shtet palestinez paqësor dhe të përgjegjshëm. //ii