Sekretet e Pulçinelës- “Furtunë në një gotë uji”, ose “U mbars mali e polli një mi”
Duket se humbësit e kanë bjerrë barazpeshën logjike, pale atë juridike, duke filluar me nënkryetaren e KQZ-së, zonjën Subashi. Ajo, duket se “e harroi”, atë nen të Kodit Zgjedhor që thekson shprehimisht se ndalohen prurjet në sallën e numërimit të votave të instrumenteve elektronike të regjistrimit dhe votoi në KQZ, duke përligjur persona të paautorizuar me stilografë, me mikrokamera regjistruese, si dhe aparatura të tjera për verifikimin e kartave elektronike të identitetit. Ajo ra ndesh me Kodin Zgjedhor, madje shfaqi edhe indinjatën që katër anëtarët e tjerë e respektuan këtë kod dhe votuan për nxjerrjen jashtë të elementëve të jashtëligjshëm, bashkë me “pajisjet” e tyre të kundërligjshme.
Kuptohet se kjo zonjë nuk veproi, në këtë rast, si përfaqësuese e ligjit, por si militante e PS-së!
Por kundërthëniet e saj, nuk përfundojnë këtu:
Zonja Subashi, shpërtheu një varg mësymjesh kundër zëdhënësit të KQZ-së, zotit Leonard Olli. Zëdhënësi na qenka në kundërshtim me ligjin, sepse ka komunikuar publikisht mandatet për deputetë, pa pasur ato trajtën definitive, për shkak se janë edhe kutitë e tjera të pahapura!
Çdo person me logjikë të shëndoshë ndodhet i habitur sesi i mohohet zëdhënësit të KQZ-së detyra e tij për të bërë transparencë.
Mandatet, sipas Subashit, duhet të jepen vetëm pasi ato të kenë marrë formën përfundimtare dhe kur të ketë përfunduar tërësisht shqyrtimi i kutive të votimeve. Edhe kjo, gjithmonë sipas Subashit, i lejohej për komunikim zëdhënësit, vetëm me autorizim të KQZ-së.
Por nuk po kupton zonja Subashi, se edhe në këtë rast është kontradiktore?
Ajo e quan të pranueshme dhënien e informacionit të pjesshëm, por jo mandatet e pjesshme.
Këtu pranohet koncepti i variablit: “Jep rezultatet e pjesshme, por jo mandatet(!)”.
Por a nuk kuptohet se vënia e shifrave të pjesshme është edhe paraqitje mandatesh të pjesshme?
Mjafton që shifrat e votimeve të pjesshme, pjesëtuar me numrin e votuesve, nxjerr mandatet e përkohshme.
Cilido, me shifrat e dhëna nga z.Leonard, mund ta bëjë këtë pjesëtim, èdhe pa makinë llogaritëse. Pretendimi i zonjës Subashi përkthehet kështu: -“Le ta nxjerrin vetë përfundimin shikuesit, por ti mos ia jep!”. Domethënë, le të japim 99% të asaj që quhet transparencë, por 1% le të mos e shpallim ne.
Zonja Subashi,
Nëse mandatet e pjesshme u dashkan mbajtur sekret atëherë duhet qortuar z. Leonard Olli, që ka dhënë shifrat e votimeve. Por gjer këtu nuk shkon kjo mbrojtëse e ligjit (që duhet vënë nën thonjëza!).
Veçse qëndrimi i Subashit, është i çuditshëm:
Hip në fik, se të vrava!
Zbrit nga fiku, se të vrava!
...