E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohen me djegie 83 kilogramë drogë

 

TIRANE - Asgjësohet me djegie një sasi e konsiderueshme narkotikësh, e bllokuar nga policia vitet e fundit. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit pohuan dje se gjithë procesi për shkatërrimin e narkotikëve në Sharrë të Tiranës, u mbikëqyr nga një Komision i përbërë nga përfaqësues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Përfaqësues të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Përfaqësues të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Shefi i Seksionit Kundër Narkotikëve në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar, ekspertë kriminalistë, asistuar edhe nga specialistë dhe ekspertë të këtij drejtimi. Asgjësimi i narkotikëve u bë në zbatim të një urdhri të Prokurorisë, dhënë dy vitet më parë, për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Kështu sipas policisë së kryeqytetit u asgjësuan me djegie, 4 kg e 75 gram lëndë narkotike e llojit heroinë, 78 kg e 653 gramë "Cannabis sattiva" dhe 1 kg e 226.9 gramë kokainë. Po kështu pohohet se procesi i asgjësimit të kësaj lënde narkotike është shoqëruar me fotografimet dhe filmimet përkatëse. Sipas policisë, kjo sasi narkotikësh është kapur gjatë arrestimit të disa personave, të cilët tashmë janë gjykuar dhe janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në vendimin e shpallur, togat e zeza janë shprehur veç dënimit të të arrestuarve edhe për asgjësimin e lëndëve narkotike, vendimi i cili u ekzekutua përfundimisht ditën e djeshme në prani të përfaqësuesve të disa institucioneve.                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›