Nis krijimi i qeverisë “Berisha 2”, mbi bazën e koalicionit PD-LSI
Qeveria e re e Sali Berishës do të ketë mbështetjen e 75 deputetëve në parlamentin e ri, duke garantuar një qeverisje të qendrueshme për 4 vitet e ardhshme, e cila pritet të ndërmarrë reforma të thella që do ta afrojnë edhe më shumë vendin me Bashkimin Evropian. LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha, ndërkohë që gjatë korrikut pritet të zhvillohen negociatat për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar
TIRANE - Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosin të qeverisin së bashku Shqipërinë, për katër vitet e ardhshme. Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha, i bëri dje një ftesë publike liderit të LSI-së, Ilir Meta, për të të marrë pjesë në qeverinë e ardhshme, qeverinë, siç e quajti kryeministri, të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së Ilir Meta, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së kryeministrit Berisha, duke pranuar qeverisjen e Shqipërisë, për katër vitet e ardhshme, katër vitet e integrimit në BE. Lideri i Lëvizjes Socialiste beri të ditur vendimin e tij në një konferencë për shtyp ku sqaroi për opinionin se vendimi është marrë pas konsultave me aktorë vendas dhe të huaj. Sipas kryetarit të LSI, kushti i vetëm për formimin e qeverisë me demokratët janë reformat në dobi të integrimit të vendit në BE. Në këtë mënyrë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të qeverisin vendin, duke pasur në dispozicion mbështetjen e 75 deputetëve në kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është mandatar nga shqiptarët, për të qenë në postin e Kryeministrit, edhe për katër vitet në vijim, ndërkohë që vetëm ndërtimi i koalicionit, ka qenë pikëpyetja që shoqëroi periudhën pas zgjedhore. Partia Socialiste dhe PBDNJ, do jenë në opozitë në katër vitet në vijim, ndonëse do të përballen me një periudhë jo fort të stabilizuar, porsa kohë në këto dy parti, pjesë një koalicioni, janë shfaqur prirjet për nj reformim të mundshëm, vetëm pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ. Ftesa e Kryeministrit për kreun e LSI-së - Berisha: “LSI-ja në programin e saj ka si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE” TIRANE - Kryeministri Sali Berisha fton LSI të jetë pjesë e qeverisë, për të drejtuar së bashku vendin drejt integrimit në BE. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëkohësisht kryeministër Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp dje në PD, ftoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të bëhet pjesë e koalicionit të ri qeverisës për të drejtuar së bashku vendin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Jam këtu për të ftuar publikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për të krijuar së bashku një qeveri të re që do të mund ta quanim qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Siç deklarova dy ditë më parë, sovrani na dhuroi fitoren, por diktoi koalicion. Nga partitë me të cilat programet janë më afër është LSI. LSI në programin e saj ka si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE. LSI në programin e saj ka punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI-në e ftoj gjithashtu me bindjen time se kjo nuk ka të bëjë me shifrat në parlament, por ka të bëjë me faktin se ajo është një përfaqësuese dinjitoze e spektrit të majtë”, u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi se LSI në dy zgjedhjet e fundit ka qenë objekt real i një persekutimi të pamerituar ligjor, i një trysnie jo demokratike. Fatmirësisht, tha Berisha, aspak të lidhura me Partinë Demokratike, e cila është parti që nuk bazon qëndrimet e saj në eliminime dhe trysni, por në qëndrime ligjore dhe parimore. “Nuk jemi ne që e dëmtuam atë përmes “Dushkut” në 2005. Nuk jemi ne që imponuam grevën e urisë. Jeni dëshmitarë që kam bërë thirrje të përsëritur në atë periudhë, që të gjendet gjuha e përfshirjes dhe jo e përjashtimit”, tha kreu i qeverisë. Berisha shprehu kënaqësinë që rreth 47 për qind të votave që sovrani i ka dhënë koalicionit të parë, i shtohen tani edhe rreth 6 për qind të votave, tërësisht të spektrit të majtë dhe faktikisht ky koalicion fiton një bazë elektorale edhe më të gjerë sesa koalicioni që ishte 4 vitet e shkuara. “Unë mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim, në interesin më të mirë të vendit duhet ta shqyrtojë dhe ta vlerësojë me sens pozitiv ftesën time të sinqertë, sepse pavarësisht se për të gjitha forcat politike të vendit është e qartë se sovrani, përveçse votoi koalicionin tim, duke e nxjerrë atë si forcë e parë, ka votuar për koalicion dhe është në ABC-në e politikës dhe në moralin e saj që vota e tij të lexohet me korrektesë dhe ndershmëri. Kam besim se kjo forcë politike që ka si qëllim integrimin, reformat për punësimin, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës time, të hapur dhe të sinqertë”, deklaroi më tej kryeministri Berisha Po me Partinë Republikane çfarë do të bëhet, a do të jetë ajo në Koalicionin pas zgjedhor? Ka një marrëveshje me Partinë Republikane dhe partitë e tjera, koalicion para dhe pas zgjedhor. PR përfaqësohet në parlament nga Kryetari i saj dhe sigurisht që do të jetë pjesë e koalicionit. Deklarata juaj për të ftuar LSI-në do të thotë se ju keni marrë garanci për bashkëqeverisje? Kjo është një ftesë publike që unë i bëj LSI-së dhe unë pres dhe shpresoj në reagimin pozitiv të kësaj force. Sigurisht që Mediu dhe Partia Republikane është pjesë e Koalicionit, por thashë edhe njëherë është çështje spektri. Me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim ne zgjerojmë ndjeshëm bazën elektorale si dhe spektrin programor të koalicionit të qeverisë së ardhshme. Kur flisni për një bashkëpunim me LSI-në, deri në çfarë termash jeni të gatshëm të negocioni dhe a keni një dhuratë për kryesocialistin Edi Rama, i cili sot ka ditëlindjen ? Termat dhe çdo gjë në marrëveshjen për koalicion duhet të negociohen dhe përcaktohen, por bazat programore për koalicion ekzistojnë plotësisht. Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen. Uroj që vitet që vijnë t’i sjellin më shumë rini. A i përmbaheni deklaratës suaj se LSI është gjysma e mollës së kalbur të PS-së ? Ah, me limonada elektorale merresh ti… Si thotë Konica fjalë kazani…! KQZ ka publikuar mbrëmë vonë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila ka ngjalluar një reagim të ashpër të PS-së. Ju si e shikoni këtë? E dëgjova përfaqësuesin e shkëlqyer të politikës së re Gramoz Ruçin që u shfaq në tezat e tij të politikës së re. KQZ ka shpallur rezultate paraprake. Shpallja e rezultatit paraprak është një standard konstant, i kërkuar dhe i sanksionuar në dokumentet ndërkombëtare për zgjedhjet. Por rezultati paraprak dhe rezultati definitiv janë dy gjera krejtësisht të veçanta. Ndaj dhe Ruçi sa mendon të mbledhë njerëz që nuk i shkon kush mbrapa përveç policëve të bashkisë së Edi Ramës dhe kryepunëtorëve të Koço Kokëdhimës, më mirë të shkojë të ulet aty ku numërohen votat, të marrë lupën dhe të kontrollojë numërimin e ndershëm të tyre. Kaq e thjeshtë është zgjidhja. Çfarë kishte këtu për t’u revoltuar në atë mënyrë. Pale kur e din që nuk e ndjek kush mbrapa. Kur të matesh duhet të jesh i sigurt. Shko numëro votat! Nuk mund të ketë proces më transparent se ky. Nuk kemi parë ndonjë proces më transparent se ky. U dha një rezultat paraprak, askush nuk mund të thotë se është përfundimtar dhe aq më tepër kur KQZ për të gjitha kutitë, më thanë që kanë votuar me 7 vota për praktikën që do të ndiqte. Atëherë nuk i mbetet gjë tjetër as palës tonë si dhe atyre, të shkojnë dhe të numërojnë votat e veta bashkë me KQZ. Kur ftoni një parti të majtë në koalicion, kjo do të thotë se i keni bërë mirë llogaritë për të pasur një qeveri të qëndrueshme për të shmangur zgjedhje të parakohshme? Së pari qeveritë e minorancës vetëm i ekstremistin situatat, se të preferueshme nuk janë. Qeveri minorance në mandate mund të jesh, kur parlamenti vendos të të mbajë në pushtet për disa arsye, por në fakt nuk mund të thuash se je në mazhorancë nëse je me më pak vota se 50 për qind në sistemin proporcional. Në sistemin mazhoritar është ndryshe, të jemi realist ka një kod moral për këto sisteme. Në këtë kontekst ky ishte sistem proporcional rajonal. Atëherë përfshirja e LSI-së ka disa arsye madhore: tejkalon 50 për qind , krijon bazën morale dhe ligjore të plotë për të qeverisur, ka pika të përbashkëta programore . Jo rastësisht z Meta ishte vendosur në krye të Komisionit Parlamentar të Integrimit. Ky është, të jemi realist varianti më i përshtatshëm për vendin sepse në këtë mënyrë do të ketë një qeveri solide, efiçente, të fortë dhe do të ketë një opozitë gjithashtu solide. Imagjinoni ju sikur të bëhej një koalicion gjigant dhe të mbetej opozita me 4 deputetë. Gjysma juaj do të dilnit në pension, ose do të ndërronit profesion, se s do të kishit lajme. Se vetëm me lajme të qeverisë gjithë ditën nuk rrihet, apo s ‘është kështu se të mërzitën sigurisht. Kështu që kjo skemë është absolutisht interesi më i mirë i vendit. Edhe qeveri solide me pika kontakti programore edhe opozitë solide. Për hir të këtij interesi në të mirë të vendit a jeni i gatshëm ju që për një periudhë dy vjeçare ta këmbeni postin tuaj me Metën? Jam i bindur se koalicioni nuk funksionon në atë mënyrë. Jam i sigurt se koalicionet janë transparente. Shqiptarët kanë Sali Berishën njeriun më të votuar, e kanë pasur gjithnjë kështu. Pra kjo nuk është vetëm se mirënjohje e imja ndaj tyre, nuk mund t’i qortoj pse më votojnë mua në këtë shkallë. Ky koalicion nuk është pazar karrigesh. Ky është koalicion integrimi. Kreu i LSI-së i përgjigjet pozitivisht ftesës së kreut të Partisë Demokratike - Meta: “Me Berishën, për të realizuar programin e qeverisë së Integrimit Evropian” TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryetarit të koalicionit fitues, Sali Berisha, për të filluar negociatat transparente për realizimin e programit të qeverisë së Integrimit Evropian. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se do të marrë pjesë në kabinetin “Berisha”, për të realizuar programin e qeverisë së integrimit Evropian. “Duke marrë në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve të 28 Qershorit; duke marrë në konsideratë krizën ekonomike që po kalon vendi; duke vlerësuar rëndësinë e stabilitetit politik institucional dhe qeverisës; duke vlerësuar domosdoshmërinë e një qeverisje më efiçente dhe përfaqësuese; pasi jam konsultuar edhe me aktorë të rëndësishëm vendas dhe ndërkombëtarë që kërkojnë forcimin e stabilitetit në vend dhe përshpejtimin e reformave, me përgjegjësi historike dhe atdhetare; e pranoj ftesën e Kryetarit të koalicionit fitues, Berisha për të filluar negociatat paraprake dhe për të realizuar me transparencë të plotë programin e qeverisë së integrimit evropian”, u shpreh Meta. Jo më larg se dy javë më parë, ju jeni shprehur se nuk do të bëni koalicion me Berishën. Si mendoni sot që ju i thoni “po” ofertës së Berishës? E shikoni që nuk jam i lumtur për këtë deklaratë dhe për këtë qëndrim, ashtu sikurse unë kam bërë të gjithë përpjekjet për të larguar nga qeverisja Berisha, sikurse kam bërë të gjitha përpjekjet për të realizuar bashkëpunimin e këputur midis PS-së dhe LSI-së për shkak të bashkëpunimit të vendosur mes Ramës dhe Berishës, që nga ndryshimet kushtetuese te Kodi Zgjedhor, si dhe ndryshime të tjera. Gjithashtu përpjekjet e mia, si publike dhe konfidenciale kanë qenë të pandërprera për të realizuar dhe një koalicion të vetëm me PS-në. Janë kërkuar takime, por atje ka munguar kryetari i PS-së, njëkohësisht dua t’ju them para zgjedhjeve i kam dërguar Kryetarit të PS-së, Sekretarin e LSI-së dhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj, ku i kam kërkuar një koalicion të vetëm, si opozitë për të mos humbur asnjë votë, por me kushtin që ne të kishim një nga komisionerët e PS-së, që sipas Kodit ne s’mund të kishim vëzhgues. Ka pasur edhe kërkesa të tjera, sikurse ka qenë edhe kërkesa më e fundit për Ramën, i cili ka qenë i ftuar për të parandaluar cenimin e standardeve që ndodhi në 28 Qershor, jo vetëm për shkak të mazhorancës, por edhe për shkak të sjelljes së lidershipit të PS-së, ndaj votave të LSI-së. Atëherë, më thoni ju se çfarë rruge mund të ndjekë pas gjithë këtyre përpjekjeve dhe të pandërprera që unë kam bërë për më shumë se 1 vit për të parandaluar këtë që ndodhi, se ç’mund të bëj sot LSI pas 28 Qershorit, me rezultatet paraprake, të cilat nuk kanë shumë rëndësi nëse janë një deputet më shumë apo më pak? Të kontribuojë për të zhytur vendin më tej në krizë dhe në mosqeverisje, apo të kontribuojë si një faktor stabilizues i qeverisë dhe garantues në maksimumin e mundshëm për një qeveri, që do ti shërbejë interesave shumë më të gjera sesa koalicioni fitues. Kjo është zgjedhja më e vështirë që më duhet të bëj si politikan dhe si lider. Në gati 2 dekada kam qenë shumë i qeshur, kur kam ikur nga detyra e Kryeministrit për të ndihmuar zgjidhjen e kizave të asaj kohe që nuk ishin për shkakun tim. Kam qenë shumë i qetë, kur jam larguar nga qeveria nga detyrat e zëvendëskryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm, jam i vendosur, sepse ky është një vendim që i intereson vendit dhe Shqipërisë. Nuk ka rrugë tjetër, sepse unë do të isha i gatshëm të qëndroja në opozitë, por me këtë sakatim që ka ardhë nga Kodi dhe nga shumë veprime të tjera, a mundet të qëndrojë LSI e vetme në një opozitë ndaj një mazhorance PD-PS, apo Berisha - Rama dhe a do të ishte efektive për vendin dhe për kontrollin e Qeverisë, një opozitë me 4 deputetë, pavarësisht se një nga këta deputetë del me 20 mijë vota ashtu sikurse edhe në 2005, ndërsa të tjerët kanë një deputet me 400 vota. Asgjë nuk ndryshon tek Ilir Meta dhe te LSI. Unë do të jem socialist, por para se të jem socialist, jam shqiptar dhe kam përgjegjësi në këto momente për të marrë përgjegjësitë për të ardhmen. Marrëveshja Rama- Meta është e pamundur dhe prodhon vetëm krizë, asgjë tjetër. Unë s’mund të kontribuoj për të gjitha arsyet që përmenda në deklaratën time dhe që janë të konsultuar shumë mirë, krizë të mëtejshme për Shqipërinë, dhe në kuadër të krizës ekonomike globale, kur të gjithë kërkojnë mesazhe stabiliteti për të ardhmen. Marrëveshja dhe bashkëpunimi Rama - Berisha u provua dhe Meta ishte i vetmi në opozitë bashkë me fajtorë të tjerë të shoqërisë civile dhe u provua që nuk solli stabilitet, por krizë, soli ndryshimet në Kushtetutë, solli ndryshime me gjyqësorin, solli Kodin, i cili ka pjellë këtë rezultat skandaloz për të majtën, sepse e majta është në shumicë. Atëherë jemi të detyruar të ecim drejt një marrëveshje që ti shërbejë Shqipërisë, shqiptarëve dhe që i shërben integrimit evropian të vendit. Shqipëria ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim dhe ne do të bëjmë çdo gjë që ky proces të ecë përpara dhe të mos mbetet pezull. Çfarë postesh keni negociuar deri tani me Berishën? Nuk ka asnjë diskutim për histori karrigesh, dhe ndarje përgjegjësish në planin e funksionimit të këtij koalicioni të mundshëm, të cilit unë i thashë një Po në parim, si të vetmen rrugë për stabilitetin e vendit. Çdo gjë do të jetë mjaft transparente, në radhë të parë për sa i takon programit, thelbi i të cilit, emblema e të cilit është integrimi evropian i Shqipërisë, dhe pa asnjë diskutim tashmë çdo gjë do të jetë transparente dhe në funksion të stabilitetit të vendit. A ka ndonjë kusht që i keni vënë Berishës? Nuk jemi këtu për të paraqitur kushte, apo për të zhvilluar negociata, sepse negociatat nuk zhvillohen këtu. Çdo gjë do të vendoset në vijim. Kushti i vetëm është që Kryetari i koalicionit fitues Berisha, t’i përmbahet atyre angazhimeve të shprehura deri më sot, pikërisht që ky koalicion t’i shërbejë integrimit evropian të Shqipërisë. Këtu besoj se ju kuptoni që përfshin një sërë reformash të domosdoshme, të munguara të cilat kërkojnë një ritëm tjetër, të cilat kërkojnë një energji tjetër. Meqenëse jemi tek integrimi, a mendoni se LSI-ja si pjesë e këtij koalicioni, do t’i sigurojë shqiptarët të lëvizin pa viza brenda këtij viti? Unë jam i bindur se programi i kësaj mazhorance të re, edhe të djathtë edhe të majtë, do të garantojë gjithë ato prioritete që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Shqipërisë, dhe pa asnjë diskutim me afatin më të shpejtë të liberalizimit të vizave për të gjithë shqiptarët. Ndërsa për të majtën, mendoj që vetë ky rezultat, pavarësisht nga të gjitha arsyet përse jemi tek ky rezultat ka dy rrugë, një rrugë përmes LSI-së, për të kontribuar në qeverisjen e vendit, që të jetë një qeverisje në shërbim të interesave të vendit dhe gjithë shqiptarëve. Dhe natyrisht një rrugë tjetër ajo e një opozite sa më aktive, sa më të fuqishme, që unë uroj ta zhvillojë Partia Socialiste, ku dhe ne do të bashkëpunojmë me të dhe në këtë plan, sepse pa dyshim të gjitha reformat kërkojnë bashkëpunimin e opozitës. A mund të jetë një nga kushtet tuaja dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor? Marrëveshja do të jetë transparente, dhe çdo gjë do të diskutohet. Unë dëgjova një ftesë publike, dhe pa asnjë diskutim që dhashë një përgjigje publike. Në ditët e ardhshme për çdo hap që do të merret ju do të jeni shumë të informuar. Marrëveshja Berisha-Meta do të jetë shumë transparente, nuk do të jetë si marrëveshja e natës së 21 Prillit.
...