Edi Rama, shkatërruesi i së majtës, s’pranon humbjen, merr peng selinë e PS-së
Reagimi i mbrëmshëm i Edvinit ka qenë reagimi i një politikani të dështuar, i cili ka marrë peng partinë më të madhe të opozitës, pasi nuk dëshiron të japë llogari për humbjen, por më së pari, dëshiron të ruajë imunitetin që e shpëton nga hetimet për dhjetëra dosje korruptive. Klani i Pezës, faktori kryesor që s’e lë Edvinin të dalë nga politika
TIRANE – Edi Rama, i cili shkatërroi dhe përdhosi opozitën në përgjithësi dhe PS në veçanti, ka shtyrë dje edhe për pak ditë dorëheqjen e tij nga kreu i kësaj partie. I ndjerë i humbur dhe i vetëm në këtë mosvotim të elektoratit shqiptar, Edi Rama, ka shfrytëzuar deklarimin e kreut të LSI-së Ilir Meta, si aleat i qeverisë së re të Kryeministrit Sali Berisha, për të mbajtur ende peng agoninë në Partinë Socialiste, duke shtyrë për ca ditë, deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, dorëheqjen e tij nga kreu i PS-së. Vendimi vjen në panikun se mund të nisin hetimet për dhjetëra dosje korruptive, për të cilat deri më tani prokuroria ka heshtur, por edhe nga presioni i miqve të tij të ngushtë, atyre që në media cilësohen si Klani i Pezës, shumë prej të cilëve janë në përbërje të grupit të ri parlamentar të PS-së, por disa mentorë të Edvinit gjenden edhe në prapaskenë e preferuan të presin një rast të dytë për të dalë në llogoren e parë të politikës. Ardhja e Edi Ramës, deri në këtë pikë, është vetëm rezultat i politikës së tij që ndoqi, jo vetëm me partinë që mori me qira dy tre vjet më parë, por edhe për shkak të raporteve të tij, me aleatët tradicionalë. Duke mos u ngritur dot në nivelin e një bashkuesi të opozitës, ai në mënyrën më të pabesë, imponoi Kodin Zgjedhor, për nxjerrjen nga skena politike të aleatëve të PS-ës. Ndërkohë, gjuetinë e shtrigave, Edi Rama e vazhdoi edhe brenda PS-së, duke larguar figurat kryesore historike të kësaj partie dhe duke e shndërruar PS-në në një OJF, pa asnjë mundësi e të bërit opozitarizëm. Përkundër kësaj politike përjashtuese, Edi Rama katapultoi emra të rinjsh anonimë, të cilët me gjithë sloganin “politikë e re”, nuk arriti të çojë PS-në dhe opozitën drejt fitores, sikurse kishte premtuar kur mori këtë parti me qira. Duke mos pasur kuarjon të bëjë një analizë të shkaqeve të humbjes dhe thellimit të ndarjes mes PS-së dhe LSI-së, kryesocialisti Edi Rama u shfaq dje në një konferencë për shtyp nga selia rozë, në gjendje të rëndë dëshpërimi, pasi mësoi për vullnetin e shprehur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, për qeverisje të përbashkët dhe siluroi me metodat e tij të rëndomta politike këtë marrëveshje ende të panënshkruar. Me një deklaratë destruktive dhe aspak me tone të zbutura, pas zgjedhjeve elektorale, për të cilat vetëm dy ditë më parë u shpreh se i ka fituar dhe se do jetë kryeministri i ri i shqiptarëve, dje, Rama u përball me dështimin përfundimtar, të parashikuar, dhe e ndjeu veten përsëri në opozitë. “Meta nxitoi të bëhej paterica e kryeministrit të rrëzuar, duke ngritur më këmbë atë që vetë Meta e quante deri para gjashtë ditësh “qeveria e Gërdecit”, tha ai. Ky pakt, sipas tij, erdhi kur ende shqiptarët, nuk kanë marrë rezultatin final të zgjedhjeve, nuk janë shpallur rezultatet e votave edhe për 83 mijë shqiptarë. “Pa u zbardhur për të gjithë e vërteta e kutive të 28 qershorit, Partia Socialiste nuk do të ndalet para asgjëje”, tha Rama. Pavarësisht deklaratave justifikuese, tashmë është fakt i kryer se Rama i humbi zgjedhjet, Partia Socialiste do të jetë në opozitë edhe për katër vitet e ardhshme. Por, Edi Rama, përpos këtij dështimi madhor, nuk pranoi se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, pavarësisht presionit të brendshëm edhe të jashtëm të PS, për mbledhjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm. “Kjo nuk është fjala ime e fundit. Do të udhëheq Partinë Socialiste deri në fund të procesit zgjedhor, vetëm më pas, kjo familje politike, pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi i këtyre 15 vjetëve të fundit, është një familje më e madhe, sepse të gjithë ata që votuan për LSI dhe Ilir Metën, por vota u shkoi te Berisha, nga sot nuk do të ndjehen vetëm, sepse tani vjen një betejë, mes botës së re që meritojnë qytetarët pavarësisht për kë votojnë dhe botës së vjetër të mekanizmave që prej 18 vjetësh i ka ndarë dhe përçarë shqiptarët dhe sot, i dhanë jetë kësaj qeverie monstër, një trup i krijuar mbi bazën e një mutacioni që është transmetimi i një virusi edhe më i rrezikshëm se ai i pari, pra kapërcimi nga Lufter Xhuveli te Ilir Meta”, tha skeptiku Rama, i cili shtoi se nuk besonte në jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Reagon Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili: “Rama të heqë dorë nga obstruksioni i vjetruar, të pranojë humbjen” TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi menjëherë mbrëmë pas deklaratës destruktive të kreut të PS, Edi Rama, i cili shigjetoi koalicionin e ri qeverisës, duke e konsideruar atë si një deformim të votës së lirë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se Rama duhet të heqë dorë nga obstruksionizmi i vjetruar që bllokon institucionet dhe funksionimin e shtetit për hir të problemeve të brendshme të tij me partinë dhe karrierën e tij, dhe të pranojë humbjen në zgjedhjet e përgjithshme. “Edi Rama të administrojë me qetësi humbjen e zgjedhjeve dhe ta pranojë në mënyrë qytetare atë, sepse ky ishte verdikti që dhanë shqiptarët në 28 Qershor. Sot është dita kur Edi Rama do të duhej të reflektonte dhe të kërkonte ndjesë për fajin fatal për Kodin Zgjedhor antiopozitar, që ai bëri me qëllimin e vetëm për të asgjesuar LSI dhe që i humbi opozitës së paku 12 mandate, shumica e të cilëve i përkisnin LSI si dhe për mijëra vota opozitare, të cilat vajtën dëm për shkak të formulave të liga. E ftojmë Ramën që me qetësi dhe pa mllef të verë interesat e integrimit të demokracisë dhe stabilitetit të vendit mbi interesat e ngushta dhe të vockla personale, sepse karriera e çdo politikani është e parëndësishme krahasuar me këto aspirata madhore të vendit”, u shpreh Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, deklaroi se opinioni publik duhet ta dijë se deri dje Edi Rama i çonte emisarë Ilir Metës për t’u bërë Kryeministër i vendit duke blerë deputetë nga e djathta, duke mos u çliruar dot nga filozofia e trafikimit të votave dhe njerëzve, filozofi e cila ishte edhe baza e mekanizmit mafioz dhe policesk manipulativ të tij në dem të mijëra e mijëra votave të LSI. “Ai dështoi edhe në tentativën e ndërtimit të një qeverie PS –PD që do të destabilizonte thellë vendin dhe do ta zhyste atë në krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale dhe doli më pas nën trysninë e dështimit që të hidhte baltë dhe mllef mbi marrëveshjen parimore dhe kushtetuese ndërmjet LSI dhe PD. Edi Rama duhet të skuqet e të turpërohet kur i përmend 87 mijë votat e LSI, sepse ato ishin votat e sakrificave të njerëzve të LSI që i shpëtuan thonjve manipulative të mafiozëve të paguar me miliona euro nga Edi Rama. Ai duhet ta dijë mirë se jo vetëm ata, por edhe mijëra votues të tjerë të LSI, vota e të cilave ju vodh paturpësisht provojnë zemërim dhe neveri, kur dëgjojnë Edi Ramën të flasë për to”, tha Vasili. Ai akuzoi Ramën, se komisionerët e tij, të paguar nga Rama, manipuluan votat e LSI, ndonëse siç u shpreh Vasili, ata do të ndiqen penalisht. “Ne kemi qindra fakte që provojnë manipulimin e turpshëm të komisionerëve të paguar nga Rama, të cilët do të ndiqen edhe penalisht dhe në qoftë se Edi Rama kërkon sinqerisht t’u shkojë të vërtetave deri në fund, e ftojmë të hapim së bashku të 4700 kutitë e votimit dhe jo vetëm ato ku skema manipuluese e tij ka dështuar. Është momenti që Rama të administrojë me dinjitet humbjen dhe të mos vazhdojë më të përdorë si mburojë PS për interesat e tij të brendshme personale dhe partiake”, deklaroi më tej, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili.
...