Universiteti i Durrësit, 3 programe të reja studimi
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje hapjen e tre programeve të reja në Universitetin e Durrësit. Konkretisht bëhet fjalë për çeljen e ciklit të parë të studimeve në Juridik, Shkenca Kompjuterike dhe Sistemet e informacionit. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet, përkatësisht, “Diplomë e Nivelit të Parë, DNP. Programet e studimit të ciklit të parë realizohen me 180 kredite, ECTS dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Programet e studimit Juridik, Shkenca kompjuterike, Sistemet e informacionit dhe Teknologji informacioni do të fillojnë veprimtarinë në vitin akademik 2010 -2011. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, pa efekte buxhetore shtesë.
Po ashtu, dje, qeveria ka miratuar hapjen e programit të studimeve të ciklit të dytë, në “Filozofi sociale”, në Fakultetin e Mësuesisë, të universitetit “Fan S. Noli”, Korçë.
Në përfundim të këtij programi studimesh lëshohet “Diplomë e Nivelit të Dytë, DND, në filozofi sociale”. Ky program studimi e fillon veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010 – 2011. Programi i studimeve të ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 2 (dy) vite akademike. Kuota e pranimit në këtë program studimesh, për vitin akademik 2010-2011, është 20. Për këtë program studimi, caktohet 10% për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Universiteti “Fan. S. Noli”, Korçë, duhet të përcaktojë kriteret e pranimit të kandidatëve dhe t’i bëjë ato publike paraprakisht.
#